Amorim: Duhet kohë për ta parë Milanin e vërtetë

24 gusht 2026 | 15:36

Trajneri i Milanit, Ruben Amorim, ka thënë se skuadrës së tij i duhet ende kohë për të treguar potencialin e plotë, pas fitores 2-1 në udhëtim ndaj Torinos, në ndeshjen e javës së parë të Serie A.

Duke folur për DAZN pas ndeshjes, Amorim ka theksuar se Milani ende nuk është në gjendjen optimale fizike.

“Do të na duheshin më shumë ndeshje në këmbë për ta parë Milanin e vërtetë, sepse nga pikëpamja fizike na mungon ende diçka”, është shprehur trajneri i kuqezinjve.

I pyetur nëse ky është tashmë Milani i tij, të paktën sa u përket zgjedhjeve, Amorim ka thënë se duhet të kalojë më shumë kohë.

“Do të duhet kohë për ta parë Milanin e vërtetë të Amorimit. Festova për shkak të pasionit që e kam për këtë skuadër, kam festuar edhe gola të tjerë të Milanit në të kaluarën. Rruga është ende e gjatë, por më pëlqeu skuadra edhe në fund, kur duhej të tërhiqej më prapa”, ka deklaruar ai.

Amorim është ndalur edhe te paraqitja e skuadrës në pjesën e parë, duke thënë se lojtarët ishin më shumë të fokusuar në shmangien e humbjes sesa në kërkimin e fitores.

“Në pjesën e parë ishte një skuadër që më shumë nuk donte të humbiste sesa të fitonte. Ky nuk është mesazhi im. Në pjesën e dytë patëm shumë më tepër shpejtësi dhe më pas vuajtëm në fund, kur Torino u rikthye në lojë, sepse na mungon ende pak gjendja fizike”, ka thënë Amorim.

Trajneri portugez ka vlerësuar fitoren dhe ka bërë të ditur se skuadra do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e aspekteve të ndryshme të lojës.

“Më bën krenar fakti që fituam, sepse objektivi në futboll është pikërisht fitorja. Po punojmë shumë dhe nga nesër do të vazhdojmë të punojmë edhe më tepër në shumë aspekte. Më pëlqeu ajo që e pashë në ndeshjet miqësore, por sonte ishte ndryshe, sepse e kishim edhe presionin e një ndeshjeje zyrtare”, ka përfunduar Amorim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Valon Lluka Mbrëmë, Behgjet Pacolli publikoi një postim të…