Nis aksioni për kontrollin e peshës së bukës dhe peshoreve në furrat e Kosovës

25 gusht 2026 | 15:50

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK), në bashkëpunim me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka nisur aksionin për kontrollin e peshës së bukës dhe verifikimin e peshoreve në furrat e bukës në të gjithë vendin.

Sipas njoftimit, kontrollet kanë filluar në rajonin e Prishtinës, ndërsa në ditët në vijim pritet të shtrihen edhe në komunat e tjera të Kosovës.

Aksioni është ndërmarrë pas ankesave të vazhdueshme të konsumatorëve për mospërputhje të mundshme mes peshës së deklaruar dhe peshës reale të bukës së shitur.

Gjatë kontrolleve, zyrtarët po verifikojnë rregullsinë dhe vlefshmërinë e peshoreve që përdoren nga furrtarët, si dhe peshën e bukës. Po ashtu, po kontrollohet nëse operatorët ekonomikë posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, mospërputhja ndërmjet masës së deklaruar dhe masës reale të produktit konsiderohet shkelje ndaj konsumatorit dhe mund të ndëshkohet me gjobë nga 1 000 deri në 10 000 euro.

Ndërkaq, përdorimi i peshoreve ose mjeteve të tjera matëse të parregullta mund të ndëshkohet me gjobë prej 500 deri në 1,500 euro për subjektet juridike, në bazë të legjislacionit për metrologjinë.

AMK dhe IQMT u kanë bërë thirrje furrtarëve që të verifikojnë në kohë vlefshmërinë e peshoreve, të sigurojnë matje të sakta dhe të respektojnë kërkesat ligjore për mbrojtjen e konsumatorëve.

Bizneset që nuk posedojnë pëlqimin për kushtet minimale teknike janë ftuar të aplikojnë pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit për pajisjen me dokumentacionin përkatës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot, u mbajt mbledhje komemorative kushtuar prof. dr. Eqrem Kryeziut,…