Lladrovci për kryetarët e komunave të LV-së: Me ose pa qejf kanë me u ulë me neve për u marrë vesh për çështjen e pastrimit
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, pas takimit me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe kryetarin e Lipjanit, ka thënë se për çështjen e pastrimit duhet të arrihet marrëveshje edhe me kryetarët e Podujevës, Obiliqit dhe Fushë-Kosovës.
Lladrovci është shprehur se është plotësisht dakord me propozimin që secila komunë të ketë kompaninë e saj të pastrimit.
“Ne jemi dakord 100 për qind me çka kemi biseduar sot. Edhe e thatë ju që kanë deklaruar kryetari i Obiliqit dhe ai i Fushë-Kosovës, ne nuk i komentojmë deklaratat e tyre, por ata me qejf ose pa qejf kanë me u ulë me neve, sepse ne duhet të merremi vesh për kompaninë”, ka thënë Lladrovci.
Ai ka theksuar se asnjë komunë nuk mund të marrë përgjegjësi vetëm për një kompani që është themeluar nga disa komuna, duke përfshirë edhe borxhet dhe përfitimet e saj.
“Kurrkush nuk mundet me marrë përgjegjësinë për një kompani që e kanë themeluar të gjitha këto komuna, për të marrë veç vetë borxhet apo edhe të mirat e saj”, është shprehur ai.
Lladrovci ka thënë se gjendja me mbeturinat në komunat përkatëse është shumë e rëndë dhe se zgjidhja kërkon bashkëpunimin e të gjitha komunave.
“Ne jemi në gjendje shumë të rëndë në komunat tona me mbeturinat. Ne do të merremi vesh edhe me zotin Bulliqi, por edhe me dy kryetarët e komunave, sepse është përgjegjësi e të gjithë neve”, ka deklaruar Lladrovci.



