Besa Ismaili-Ahmeti: Fashizmi nuk vdes me vdekjen e kriminelëve të luftës

28 gusht 2026 | 10:01

Ish-deputetja Besa Ismaili-Ahmeti ka reaguar pas raportimeve për vdekjen e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mladiq, duke thënë se vdekja e një krimineli lufte nuk e fshin kujtesën e krimeve të kryera.

Ismaili-Ahmeti ka theksuar se, nëse konfirmohet vdekja e Mladiqit, duhet të mbetet e gjallë kujtesa për viktimat dhe krimet e luftës.

“Fashizmi nuk përfundoi me të. Gjurmët e tij në këto troje janë ende të gjalla”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, vdekja e Mladiqit nuk mund t’i mbulojë krimet që ai la pas, duke e lidhur këtë edhe me procesin e identifikimit dhe varrosjes së viktimave të luftës.

“Toka mund ta mbulojë trupin e tij, por vështirë se mund t’i mbulojë krimet që la pas”, ka deklaruar Ismaili-Ahmeti.

Ajo ka vlerësuar se gjykimi dhe dënimi i Mladiqit nga Tribunali i Hagës përbënin një hap drejt drejtësisë, por jo përmbushjen e plotë të saj ndaj viktimave.

“Serbia ende nuk e ka marrë përgjegjësinë dhe dënimin historik që u takon viktimave”, ka shkruar ajo.

Në fund, Ismaili-Ahmeti ka theksuar se vdekja e një krimineli nuk e fshin historinë.

“Krimet mbeten. Viktimat mbeten. Kujtesa mbetet. Dhe drejtësia, sado vonë, ngadhënjen”, ka përfunduar ajo.

Postimi i plotë i saj:

Fashizmi nuk vdes me vdekjen e kriminelëve të luftës

Nëse konfirmohet vdekja e Ratko Mladićit, nuk duhet harruar një e vërtetë themelore: fashizmi nuk përfundoi me të. Gjurmët e tij në këto troje janë ende të gjalla.

Toka mund ta mbulojë trupin e tij, por vështirë se mund t’i mbulojë krimet që la pas. Ashtu siç ende nxjerren mbetjet mortore të viktimave për t’u dhënë familjeve një varr, po aq pamundur është të varroset me të edhe kujtesa e krimeve të tij.

Gjykimi dhe dënimi nga Tribunali i Hagës ishin një hap drejt drejtësisë, por vetëm një pjesë e vogël e drejtësisë që u detyrohet viktimave.

Në Ballkan e dimë kush ishin viktimat, kush ishin ekzekutuesit dhe kush mbajti mbi supe makinën shtetërore të luftës dhe gjenocidit.

Serbia ende nuk e ka marrë përgjegjësinë dhe dënimin historik që u takon viktimave.

Historia nuk harrohet sepse vdes një kriminel.

Krimet mbeten. Viktimat mbeten. Kujtesa mbetet.

Dhe drejtësia, sado vonë, ngadhënjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar gjendjen institucionale në…