Hoxha mohon përfshirjen e Shqipërisë në skenarë destabilizues në Malin e Zi

28 gusht 2026 | 16:24

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka reaguar pas raportimeve të mediave malazeze se Serbia dhe Shqipëria mund të jenë vendet të cilave kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, iu referua kur paralajmëroi për përpjekje të mundshme për destabilizimin e vendit përmes veprimtarive hibride.

Hoxha është shprehur se ndaj Shqipërisë nuk ka asnjë akuzë zyrtare, duke theksuar se Tirana nuk mund dhe nuk do të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues në Malin e Zi.

“Edhe pse nuk ka asnjë akuzë të formuluar zyrtarisht ndaj Shqipërisë, dua të theksoj fort dhe qartë se Shqipëria as nuk është dhe as nuk mund të jetë pjesë e ndonjë skenari destabilizues, as në Malin e Zi, një vend fqinj, mik, partner dhe aleat në NATO, me të cilin ndajmë të njëjtin projekt të anëtarësimit në BE, dhe as askund tjetër”, është shprehur Hoxha.

Ai ka deklaruar se Shqipëria po vepron në drejtim të kundërt, duke investuar në bashkëpunim, mirëkuptim, stabilitet dhe zhvillimin e rajonit, si dhe në forcimin e bashkëpunimit evropian dhe euroatlantik.

Hoxha ka vlerësuar se interpretimet mediatike dhe debatet e brendshme politike në Mal të Zi nuk duhet të krijojnë artificialisht probleme në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm, në të gjitha nivelet, dhe këtë kam bërë edhe në këtë rast, në komunikimet që kam pasur me ZvKM dhe MPJ, Ibrahimoviç, si dhe me ZvKM, Nik Gjeloshaj”, ka deklaruar ai.

Ministri i Jashtëm u është drejtuar edhe aktorëve politikë në Shqipëri, duke i ftuar që për çdo informacion të nevojshëm t’i drejtohen Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në mënyrë që të shmangen debatet e panevojshme.

“Politika e jashtme kërkon gjithnjë qetësi, maturi dhe përgjegjësi”, është shprehur Hoxha.

Ndërkohë, media malazeze “Vijesti”, duke iu referuar burimeve të saj, ka raportuar se bëhet fjalë për zyrtarë nga të paktën dy vende të rajonit. Kryeministri malazez Spajiç ka deklaruar se autoritetet disponojnë informacione serioze operative të sigurisë se mbyllja e pritshme e kapitujve të rinj në negociatat me Bashkimin Evropian mund të shoqërohet me përpjekje për destabilizimin e vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një letër të cilën e ka parë Radio Evropa e…