Kandidati për president: I nderuar nga besimi i LV-së dhe LDK-së
Bekim Sejdiu ka pranuar kandidaturën për president të Republikës së Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë arritur pajtim për emrin e tij pas negociatave intensive.
Pas marrëveshjes mes dy partive, Sejdiu u shpreh se është i nderuar nga besimi i dhënë nga përfaqësuesit e LV-së dhe LDK-së, duke i falënderuar të dyja subjektet politike për mbështetjen
Sipas tij, gjatë ditëve të fundit, LV-ja dhe LDK-ja kanë zhvilluar negociata intensive me synimin për të gjetur një kandidat jopartiak për postin e Presidentit të Kosovës.
“Gjatë këtyre negociatave, dy partitë kanë arritur një pajtueshmëri për emrin tim si kandidat presidencial. Gjithsesi, kjo mua më bën të ndihem i nderuar. Besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive politike është besim i madh dhe nder i madh”, ka deklaruar Sejdiu.
Ai ka treguar se e ka pranuar propozimin për kandidaturë, edhe pse angazhimi i tij deri më tani ka qenë kryesisht i orientuar drejt fushës akademike dhe profesionale.
“Unë e kam pranuar këtë propozim, ndonëse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha më shumë akademike dhe profesionale”, ka thënë ai.
Sejdiu ka theksuar se është plotësisht i vetëdijshëm për barrën dhe përgjegjësinë që bart posti i Presidentit, sidomos duke pasur parasysh situatën aktuale politike në Kosovë.
Ai ka thënë se, përkundër kësaj përgjegjësie, është vënë në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Jam vënë në shërbim të Republikës së Kosovës, të qytetarëve dhe të shtetit tonë, që t’u shërbej me devotshmëri, siç kam bërë gjithmonë, kudo dhe kurdo që më jepet rasti brenda kapaciteteve të mia”, ka thënë kandidati për president.
Sejdiu ka rikujtuar se zgjedhja e presidentit të Kosovës përfshin dy dimensione: marrëveshjen politike mes subjekteve dhe procedurën kushtetuese që zhvillohet në Kuvend.
Kandidatura e tij vjen pas disa takimeve mes kryetarit të LV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, të cilët janë dakorduar për një emër konsensual dhe jopartiak.
Pas arritjes së marrëveshjes, hapi i radhës pritet të jetë procedura parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.



