Maqedonci në Turqi, merr pjesë në diplomimin e pesë kadetëve nga Kosova
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Akademisë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Turqisë, në kuadër të Ditës së Fitores së Republikës së Turqisë.
Në ceremoninë e mbajtur në Turqi, diplomuan edhe pesë kadetë nga Kosova, të cilët përfunduan me sukses studimet ushtarake në këtë akademi.
Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë ceremonisë ka takuar Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Yaşar Güler, të cilëve ua ka përcjellë urimet me rastin e Ditës së Fitores.
Ai ka përgëzuar pesë kadetët nga Kosova për përkushtimin, disiplinën dhe suksesin e arritur gjatë studimeve, duke u uruar karrierë të suksesshme në shërbim të vendit.
Sipas Maqedoncit, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fushën e mbrojtjes janë të rëndësishme, ndërsa bashkëpunimi në edukimin dhe përgatitjen e kuadrove të reja ushtarake është një nga shembujt konkretë të këtij bashkëpunimi.



