Osmani përkrah Sejdiut: Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha!

31 gusht 2026 | 14:08

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur propozimin e Bekim Sejdiut si kandidat konsensual për president të Republikës së Kosovës, të mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Osmani, përmes një postimi në “Facebook”, ka vlerësuar se Sejdiu përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin e nevojshëm për postin e presidentit.

“Prof. Dr. Bekim Sejdiu. Një profesionist i dëshmuar, një njeri me integritet dhe një figurë që e njeh nga afër shtetin, institucionet dhe sfidat e Kosovës”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar se me Sejdiun ka pasur bashkëpunim të gjatë, duke thënë se e njeh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij.

“Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij”, ka shkruar Osmani.

Ish-presidentja ka thënë se vendimi për zgjedhjen e presidentit u takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës së Kosovës, duke e cilësuar përgjegjësinë për këtë proces si historike.

Sipas saj, gjatë zgjedhjes duhet të merret parasysh interesi i shtetit, stabiliteti institucional dhe forcimi i orientimit euroatlantik të Kosovës.

“Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë”, ka shkruar Osmani.

Osmani ka uruar që procesi të përfundojë në të mirë të Republikës së Kosovës.

“Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha!”, ka shkruar Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jose Mourinho ka shkaktuar të qeshura në konferencën për shtyp…