Gjini: Aleanca nuk e voton kandidatin Sejdiu për president
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se partia e tij nuk do ta votojë Bekim Sejdiun për president të Kosovës, duke theksuar se qëndrimi i Aleancës ka qenë i qartë që nga 7 qershori.
Gjini ka thënë se Aleanca nuk ndihet e obliguar nga marrëveshjet që mund të arrijnë subjektet e tjera politike.
“Qëndrimi i Aleancës është i qartë që prej datës 7 qershor. Ne nuk kemi kurrfarë obligimi ndaj çfarëdo marrëveshje që bëjnë dy parti politike të tjera”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka kritikuar edhe Qeverinë, duke thënë se nuk sheh vullnet për t’u marrë me çështjet që lidhen me qytetarët dhe të ardhmen e vendit.
“Nuk shohim kurrfarë vullneti të kësaj qeverie me u marrë me çfarëdo teme që ka të bëjë me qytetarin e Kosovës, me të ardhmen e vendit, me planifikimet afatgjata”, është shprehur ai.
I pyetur nëse do t’i përgjigjej një ftese nga Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku për konsultime rreth zgjedhjes së presidentit, Gjini tha se nuk është i interesuar për atë që e cilësoi si “lojëra të fëmijëve”.
“S’kam kohë për ksi lojërash të fëmijëve që janë me qëllim mashtrimin e opinionit publik dhe dërgimin e Kosovës në zgjedhje”, tha ai.
Gjini ka theksuar se deputetët e Aleancës janë të unifikuar në qëndrimin e tyre dhe se çdo vendim do të merret bashkërisht.
“Jemi qind për qind unik. Çfarëdo vendimi që merret në Aleancë, është unik”, përfundoi Gjini.
Kryetari i Aleancës foli edhe për protestën e komunave, duke e vlerësuar situatën aktuale politike dhe institucionale si të rëndë për Kosovën.
“Sot jemi në situatën që komunat kanë ardhur të protestojnë, për shkak se periudha e mashtrimit më të madh në historinë e Kosovës e ka prekur çdo pore të jetës në Kosovë. Kosova është para kolapsit ekonomik e social. Nuk respektohet në arenën ndërkombëtare. Kemi bllokada, jemi përjashtuar nga dialogu strategjik me Amerikën dhe kemi qenë nën sanksione të Evropës”, ka deklaruar Gjini.



