Më 6 shtator mbahet akademi përkujtimore në 23-vjetorin e vrasjes së heroit Hajdar Ahmeti
Me rastin e shënimit të 23-vjetorit të vrasjes së heroit Hajdar Ahmeti, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe polic i Kosovës, më 6 shtator 2026 do të mbahet një akademi përkujtimore në nderim të jetës, veprës dhe sakrificës së tij për lirinë e atdheut. Akademia përkujtimore do të organizohet në fshatin Berjahë të Komunës së Gjakovës, duke filluar nga ora 11:00. Në kuadër të këtij manifestimi do të bëhet edhe zbulimi i pllakës përkujtimore të Shtabit Lokal të UÇK-së në fshatin Berjahë, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për luftëtarët e lirisë. Po ashtu, do të bëhen homazhe te varrezat e fshatit. Organizimi i këtij përvjetori është bërë nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), dega në Gjakovë, në bashkëpunim me fshatin Berjahë.

Kryetari i fshatit dhe ish-bashkëluftëtari i Hajdar Ahmetit, Naim Miftari, ka vlerësuar lart figurën e heroit dhe kontributin e familjes së tij gjatë luftës. “Heroi Hajdar Ahmeti së bashku me familjen e tij ishin pjesë e UÇK-së. Në shtëpinë e tyre, gjatë luftës së vitit 1998, ishte vendosur Shtabi Lokal i fshatit”, ka deklaruar Miftari. Ai ka bërë të ditur se në akademinë përkujtimore, më 6 shtator, kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe shumë bashkëluftëtarë të Zonës së Dukagjinit, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, si dhe qytetarë të Rekës së Keqe. Akademia do të shërbejë si një moment përkujtimi dhe nderimi për jetën, veprën dhe sakrificën e Hajdar Ahmetit, si dhe për të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e Kosovës.



