20 punëtorë të vdekur këtë vit, kërkohen masa më të forta për sigurinë

02 shtator 2026 | 21:39

Kriza me sigurinë në punë në Kosovë po thellohet, ndërkohë që rreziku në vendet e punës po shkon përtej aksidenteve me fatalitet.

Përveç rasteve tragjike në ndërtimtari, shoqëria civile po alarmon për një tjetër rrezik të madh: sëmundjet profesionale që zhvillohen ngadalë në sektorët e rëndë, si KEK-u dhe Trepça.

Në mungesë të një liste zyrtare shtetërore për këto sëmundje, qindra raste po mbeten të paidentifikuara dhe pa një trajtim institucional.

Një tjetër tragjedi në vendin e punës në Zubin Potok ka çuar në 20 numrin e punëtorëve që kanë humbur jetën vetëm këtë vit. Ndërkohë që shoqëria civile alarmon për pasigurinë fizike nëpër vendpunishte, sëmundjet profesionale, një tjetër rrezik i padukshëm, mbetet krejtësisht i patrajtuar.

“Është punëtori i 20-të që vetëm në vitin 2026 e ka humbur jetën. Pra, punëtori i 20-të. Prej vitit 2021 deri në vitin 2026, 99 punëtorë e kanë humbur jetën në vendin e punës për shkak të rrezikshmërisë në vendpunishte, edhe ne, të vetmen gjë që kemi dëgjuar prej qeverisë përgjatë këtyre viteve është inspektimi edhe rritja e numrit të inspektorëve”, tha Lisjan Perolli, Instituti për Aksion Afirmativ.

Sektori i ndërtimtarisë mbetet ndër më të rrezikshmit dhe më vdekjeprurësit për punëtorët në Kosovë.

Një tjetër problem është mospërputhja mes shifrave zyrtare dhe të dhënave nga terreni. Ndërsa institucionet e pavarura raportojnë për 20 punëtorë të vdekur gjatë këtij viti, përfshirë edhe një të ri në sektorin e ndërtimit gjatë muajit korrik, Inspektorati Qendror i Punës ka evidentuar vetëm 14 raste.

Ndërkohë, Sindikata e Pavarur e Punëtorëve alarmon se nga viti 2018 e deri më sot, në vendin e punës kanë humbur jetën më shumë se 180 punëtorë.

Për këtë, Inspektorati Qendror i Punës ka theksuar se është i përkushtuar që në terren të zbatohen rregullat, sidomos në parandalim të aksidenteve në vendin e punës.

Në gjigantët si KEK-u dhe Trepça, punëtorët po vdesin larg kamerave nga pasojat shëndetësore që u la vendi i punës, pa një listë zyrtare që ua njeh këtë të drejtë.

“Ne flasim gjithmonë për vdekjet në vendin e punës, për sigurinë në vendin e punës, sepse janë gjëra që ne i shohim, i përjetojmë, sepse bie dikush prej skelave ose e humb jetën në vendin e punës, pëson aksident edhe shihet. Mirëpo, sa i përket shëndetit, askush nuk e trajton dhe nuk është trajtuar fare qe sa vjet. Ka ekzistuar një listë që ka qenë e përgatitur kohë më parë, por që ka mbetur në sirtarët e ministrisë diku. Ndoshta është edhe vonë me iu bërë thirrje që ta marrin parasysh shëndetin e punëtorëve”, theksoi Brikena Hoxha, Iniciativa Kosovare për Stabilitet.

Mungesa e listës zyrtare të sëmundjeve profesionale lë pjesë të madhe të problemit jashtë statistikave. Pa një listë zyrtare, mbetet e vështirë të përcaktohet se cilat sëmundje lidhen me profesionin, kush mban përgjegjësinë dhe si duhet të trajtohen e kompensohen punëtorët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se ideja fillestare…