Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë mbështet marshin ‘Kosova po pret’
03 shtator 2026
| 11:37
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka shprehur mbështetjen për marshin për liri me moton “Kosova po pret”, i cili organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër”.
Marshi do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, me qëllim përcjelljen e një mesazhi qytetar për lirinë, drejtësinë dhe mbrojtjen e vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
DhTIK-u u ka bërë thirrje bizneseve anëtare, punonjësve dhe bashkëpunëtorëve të tyre që t’i bashkohen marshit, duke shprehur përkrahjen për lirinë, drejtësinë dhe vlerat e luftës për çlirimin e Kosovës.
“DhTIK-u beson se Kosova meriton të ecë përpara me dinjitet, drejtësi dhe respekt për sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e saj”, ka njoftuar DhTIK-u.



