‘Meta’ heq reklamat në ‘Facebook’ dhe ‘Instagram’ që glorifikonin kriminelin e luftës Ratko Mlladiq

03 shtator 2026 | 16:12

Kompania “Meta” ka hequr reklamat e paguara në “Facebook” dhe “Instagram” që përdornin imazhin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, nga shitja e bluzave me portretin e tij deri te përmbajtjet që e paraqisnin në mënyrë lavdëruese.

“Ekipet tona kompetente shqyrtuan reklamat dhe hoqën ato që shkelnin rregullat tona”, deklaroi Meta në përgjigje të pyetjeve të “Detektor”, shkruan Vijesti

Mes përmbajtjeve të paguara të identifikuara nga “Detektor” ishte një reklamë e faqes “Vožd”, e publikuar më 31 gusht, e cila promovonte drejtpërdrejt një bluzë me imazhin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq.

Një tjetër reklamë, e publikuar nga faqja “Povest Srba”, paraqiste biografinë e Mlladiqit përmes një rrëfimi të fokusuar te tragjeditë e tij personale, përfshirë vdekjen e vajzës së tij, ndërsa ai përshkruhej si “gjeneral”. Një qasje e tillë e zhvendoste vëmendjen nga fakti se Ratko Mlladiq u dënua përfundimisht për gjenocid dhe krime të tjera lufte.

Ndër reklamat që u shfaqën në “Facebook” dhe “Instagram”  ishte edhe ajo e faqes “Otacastvo”, e cila përdorte imazhin e Mlladiqit për të shitur bluza. Kjo faqe i hoqi reklamat pas pyetjeve të “Detektor”.

Nga “Otacastvo” thanë se ofrojnë rreth 30 motive të ndryshme dhe se bluzat me imazhin e Mlladiqit janë vetëm një prej tyre.

“Një bluzë është një veshje që njerëzit zgjedhin sipas shijes së tyre. Nuk është një mesazh që u dërgohet klientëve dhe nuk po nënçmohet ndonjë viktimë”, deklaruan nga kjo faqe.

Reklama të ngjashme me përmbajtje që glorifikon ose relativizon figurën e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq janë shfaqur edhe më herët.

Në nëntor të vitit 2021, faqja “Crvena Pravda” kishte publikuar një reklamë në të cilën vihej në pikëpyetje pranimi i vendimeve të Tribunalit të Hagës.

Në përgjigje të “Detektor”, nga “Crvena Pravda” deklaruan se nuk e njohin Tribunalin e Hagës, duke e cilësuar atë si institucion politik. Megjithatë, ata thanë se nuk e vënë në dyshim përgjegjësinë e Mlladiqit për krimet e mundshme të kryera gjatë kohës kur ai ishte komandant i Ushtrisë së Republikës Srpska, nëse kjo përcaktohet nga një gjykatë e paanshme vendase.

Reklama ishte aktive nga 13 deri më 15 nëntor 2021 dhe gjatë kësaj periudhe mori mes 10 mijë dhe 15 mijë shikime.

Ratko Mlladiq, ish-komandant i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Srpska, u dënua me burgim të përjetshëm. Vendimi përfundimtar e shpalli fajtor për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e civilëve të Sarajevës dhe marrjen peng të pjesëtarëve të UNPROFOR-it.

Mlladiq vdiq më 27 gusht në paraburgim në Hagë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj,…