OEK-u në Stamboll: Kosova duhet të jetë pjesë aktive e tregut evropian
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, po merr pjesë në takimin e Komitetit të Anëtarëve të Asociuar dhe Korrespondentë të EUROCHAMBRES, që po mbahet në Stamboll.
Në fokus të takimit janë integrimi ekonomik evropian, zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe përfshirja e vendeve kandidate në Tregun e Vetëm të BE-së.
Rafuna theksoi rëndësinë e afrimit të bizneseve të Kosovës me tregun evropian, eliminimit të barrierave tregtare dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet odave ekonomike.
Ai nënvizoi se Kosova dhe sektori privat duhet të kenë rol aktiv në proceset ekonomike evropiane, duke krijuar më shumë mundësi për bizneset, investimet dhe partneritetet ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e OEK-ut në këtë forum forcon përfaqësimin e interesave të bizneseve të Kosovës në rrjetin e EUROCHAMBRES dhe hap mundësi të reja për bashkëpunim dhe qasje më të gjerë në tregjet evropiane.



