Përplasje me armë mes shërbimeve sekrete në Kiev, Zelensky e cilëson incidentin “të turpshëm” dhe kërkon hetim
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kritikuar ashpër dy prej shërbimeve më të fuqishme të sigurisë së vendit dhe ka kërkuar hetim pas një përplasjeje me armë mes njësive të tyre speciale në rrugët e Kievit.
Sipas raportimit të Financial Times, incidenti përfshiu pjesëtarë të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, SBU, dhe të inteligjencës ushtarake, GUR.
Në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelensky e cilësoi ngjarjen si një “incident absolutisht të turpshëm”.
“Këtu në Ukrainë, të vetmit njerëz ndaj të cilëve dikush duhet të qëllojë janë pushtuesit rusë, në mbrojtje të Ukrainës. Asnjë shkëmbim tjetër zjarri nuk do të trajtohet kurrë nga shteti ynë si diçka që dikush lejohet ta bëjë”, deklaroi Zelensky.
Presidenti njoftoi se prokurorët do të hetojnë incidentin, ndërsa kërkoi edhe hetime të brendshme nga të dyja agjencitë.
“Duhet të ketë përgjegjësi, përfshirë vendime për personelin nga drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës dhe sigurisë për personat e përfshirë në atë që ndodhi”, tha ai.
Sipas Financial Times, përplasja ndodhi gjatë natës dhe mëngjesit të së mërkurës në lagjen e qetë Berezniaky të Kievit.
SBU-ja fillimisht deklaroi se kishte bashkëpunuar me GUR për të parandaluar një “sulm terrorist” rus, por më vonë dha një version tjetër, duke thënë se agjentët e saj ishin përballur me një “grup personash” që po përpiqeshin t’i pengonin gjatë një kontrolli.
Agjentë të njësisë elitare “Alpha” të SBU-së hapën zjarr dhe arrestuan tre persona që, sipas agjencisë, “i përkasin një prej njësive të forcave të mbrojtjes së Ukrainës”.
SBU raportoi gjithashtu disa të plagosur mes personave që, sipas saj, kishin bërë rezistencë.
Financial Times shkruan se incidenti duket se lidhet me arrestimin e Stepan Kaplunov, zëvendës komandant i Korpusit Vullnetar Rus, një njësi e nacionalistëve rusë që lufton për Ukrainën dhe është e lidhur me GUR.
Avokati i Kaplunov tha se ai ishte arrestuar nga SBU në fund të gushtit dhe ishte dërguar të mërkurën në apartamentin e tij për një kontroll. Pikërisht aty, sipas tij, oficerët e GUR u përpoqën të pengonin hyrjen e SBU-së.
Ngjarja ndodhi ndërsa Kievi po përjetonte ditën e gjashtë radhazi të sulmeve ruse me dronë, të cilat zyrtarët ukrainas i kanë cilësuar si një ndryshim taktike të Moskës dhe përpjekje për të “paralizuar” aktivitetin ekonomik.
Incidenti ngre pikëpyetje mbi kontrollin e strukturave ukrainase të sigurisë, fuqia dhe burimet e të cilave janë rritur ndjeshëm që prej nisjes së pushtimit të plotë rus në vitin 2022.



