Sulmohet me armë zjarri gjenerali rus, Ukraina e akuzoi për goditjen e spitalit pediatrik në Kiev

04 shtator 2026 | 08:36

Një oficer i lartë i ushtrisë ruse është bërë shënjestër e një atentati në Rusi. Ukraina e kishte akuzuar atë se kishte urdhëruar sulmin me raketa ndaj një spitali pediatrik në Kiev.

Sipas raportimeve, gjenerali Nikolai Varpakhovich u qëllua disa herë në qytetin Engels, në Rajonin e Saratovit. Ai është komandant i Divizionit të 22-të të Bombarduesve të Rëndë të Forcave Hapësinore Ruse.

Komiteti Hetues Rus bëri të ditur se ka hapur një hetim për tentativën për vrasjen e një ushtaraku, por nuk publikoi identitetin e personit të sulmuar. Mediat ruse dhe disa kanale në Telegram raportuan se objektivi ishte Varpakhovich.

Gjenerali arriti t’i mbijetonte atentatit dhe u shtrua fillimisht në spital, ndërsa më vonë u transferua në Moskë, sipas të njëjtave informacione.

Varpakhovich ishte vënë në fokus të hetimeve ukrainase pas sulmit me raketa kundër spitalit pediatrik Ohmadiyt në Kiev, në korrik 2024. Nga goditja humbën jetën tre persona, mes tyre një fëmijë, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën. Dëme të rënda pësuan disa pjesë të spitalit, përfshirë njësitë e kujdesit intensiv dhe ambientet kirurgjikale.

Sipas pretendimeve të autoriteteve ukrainase, oficeri rus kishte dhënë urdhrin që njësitë nën komandën e tij të lëshonin një raketë Kh-101.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, foli për incidentin pa marrë zyrtarisht përgjegjësinë. Ai deklaroi se Ukraina do të vijojë operacionet si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, la të kuptohej se do…