Moska zyrtare thotë se Gjermania po i shpall luftë Rusisë
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Gjermanisë për përfshirjen e Rusisë në incidentin me dron në aeroportin e Leipzigut.
Duke iu referuar dronit të gjetur pranë një avioni ukrainas në aeroportin Leipzig-Halle, Lavrov tha se autoritetet gjermane e cilësuan atë si rus pa kryer, sipas tij, një hetim të mjaftueshëm.
“Kjo është në thelb fillimi i një lufte të vërtetë”, deklaroi Lavrov, duke kritikuar njëkohësisht masat e Berlinit ndaj përfaqësive diplomatike dhe institucioneve ruse në Gjermani.
Lavrov komentoi edhe deklaratat e kancelarit gjerman Friedrich Merz për forcimin e ushtrisë gjermane, duke pretenduar se Berlini po zbaton në praktikë planet për ta kthyer Gjermaninë në fuqinë kryesore ushtarake të Evropës.
“Ai në thelb po na shpall luftë. Dhe mësimet e historisë nuk janë nxjerrë fare”, u shpreh ministri rus.
Lavrov shkoi edhe më tej, duke deklaruar se “metastazat e nazizmit po fillojnë të dalin në sipërfaqe” dhe se udhëheqja ruse do të nxjerrë “përfundimet e duhura” nga zhvillimet.
Sipas autoriteteve gjermane, incidenti në aeroportin Leipzig-Halle ndodhi më 4 gusht, kur një dron i ngarkuar me eksploziv u gjet pranë një avioni ukrainas. Berlini e ka akuzuar zyrtarisht Rusinë për përgjegjësi lidhur me tentativën e sulmit.
Në kuadër të përshkallëzimit të tensioneve, Gjermania ka njoftuar gjithashtu mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Rusisë në Bon, ndërprerjen e marrëveshjes për funksionimin e Shtëpisë Ruse në Berlin dhe forcimin e kontrolleve të hyrjes për qytetarët rusë.



