Dugolli takohet me homologun nga Maqedonia e Veriut, bisedojnë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku është pritur nga ministri në detyrë i Punëve të Brendshme (MPB), Xhelal Sveçla dhe zëvendësministri në detyrë i MPB-së, Enver Dugolli.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë takimit është vlerësuar bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në bashkëpunimin ndërmjet dy ministrive.
“Në këtë takim u theksua bashkëpunimi i mirë në mes të dy vendeve, në veçanti bashkëpunimi i shkëlqyer që ekziston mes dy ministrive të brendshme”, është thënë në njoftim.
Në takim është diskutuar edhe për sfidat në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, ndërsa Dugolli ka prezantuar prioritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për rritjen e sigurisë në vend.
“Zëvendësministri Dugolli, po ashtu, vuri theksin në prioritetet që ka Ministria e Punëve të Brendshme, me qëllim të krijimit të një klime më të sigurt dhe krijimit të një ambienti ku vendi ynë, Kosova, të vazhdojë të cilësohet si ndër vendet më të sigurta në Evropë dhe Botë”, është thënë në njoftimin e MPB-së.
Një pjesë e takimit i është kushtuar edhe bashkëpunimit në menaxhimin e kufijve dhe marrëveshjeve për kalimet kufitare. Palët kanë diskutuar për lehtësirat që u ofrohen qytetarëve, veçanërisht banorëve që jetojnë përgjatë vijës kufitare mes dy shteteve.
Gjatë vizitës, Iseni dhe Dugolli kanë vizituar Qendrën Kombëtare të Menaxhimit të Kufirit, ku janë njohur nga afër me procedurat për menaxhimin e kufijve të Kosovës, me fokus të veçantë në pikat kufitare me Maqedoninë e Veriut.
Dy zëvendësministrat kanë vizituar edhe Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, ku janë informuar për programet trajnuese për zyrtarët policorë, pjesëtarët e shërbimit korrektues, doganierët dhe zjarrfikësit.
Në Akademi, ata kanë zhvilluar një drekë të përbashkët me kadetët dhe kanë diskutuar edhe me Jetlum Bunjakun dhe Sokol Zymberin, djemtë e heronjve të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe Enver Zymberi.
Sipas njoftimit, dy kadetët, pas përfundimit të akademisë, pritet të ndjekin rrugën e prindërve të tyre në shërbim të sigurisë dhe qytetarëve të Kosovës.
Në përfundim të vizitës, Iseni dhe Dugolli kanë vizituar Agjencinë për Regjistrimin Civil, ku janë informuar për procesin e përmirësimit dhe digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët.
Zëvendësministri Iseni ka falënderuar homologun e tij kosovar për mikpritjen dhe ka theksuar angazhimin e Maqedonisë së Veriut për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
Ai ka theksuar “përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të shtyrë përpara agjendat që kanë për qëllim krijimin e stabilitetit dhe të sigurisë në të dy vendet”.
Në fokus, sipas njoftimit, është edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale që veprojnë në të dyja vendet.
Iseni dhe Dugolli janë shprehur për vazhdimin e bashkëpunimit dhe “luftën e pakompromis ndaj grupeve kriminale që veprojnë në dy vendet dhe, në shumë raste, bashkëpunojnë ndërmjet veti”.



