Valon Lluka mbetet në paraburgim, Apeli ia refuzon ankesën

22 tetor 2026 | 14:29

Biznesmeni Valon Lluka mbetet në paraburgim, pasi Gjykata e Apelit e Kosovës e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së tij dhe e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas aktvendimit, masa e paraburgimit prej një muaji llogaritet nga 7 tetori deri më 6 nëntor 2026.

Lluka dyshohet për veprat penale “Mashtrimi lidhur me pranimin e fondeve nga Komuniteti Ndërkombëtar”, “Mashtrimi”, “Lidhja e kontratës së dëmshme” dhe “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.

Mbrojtësi i tij, avokati Driton Muharremi, kishte kërkuar ndërprerjen e paraburgimit dhe mbrojtjen në liri ose caktimin e një mase alternative. Në ankesë, mbrojtja kishte kundërshtuar ekzistencën dhe arsyetimin e dyshimit të bazuar, duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë i kishte pranuar pretendimet e Prokurorisë pa bërë një analizë të mjaftueshme dhe të pavarur të provave.

Megjithatë, Apeli ka vlerësuar se provat e deritanishme e mbështesin dyshimin e bazuar dhe se ekziston rreziku i ndikimit te dëshmitarët dhe i ndërhyrjes në prova.

Në arsyetimin e vendimit përmendet se Lluka, gjatë marrjes në pyetje, ishte interesuar të dinte se kush nga kompania “Hirano Mushrooms” kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij dhe nëse ishte marrë në pyetje Hasan Lahu. Sipas gjykatës, këto rrethana, së bashku me rrezikun e ndërhyrjes në dokumentacionin financiar, komunikimet elektronike dhe provat e tjera ende të pasiguruara, e justifikojnë vazhdimin e paraburgimit.

Ndërkaq, Apeli nuk e ka pranuar arsyetimin e shkallës së parë lidhur me rrezikun e arratisjes dhe të përsëritjes së veprës penale, duke vlerësuar se për këto dy baza mungojnë rrethanat konkrete.

Dyshimet e përshkruara në vendim lidhen, ndër të tjera, me administrimin e një granti për kompaninë “Hirano Mushrooms”, si dhe me kontrata e pagesa të kompanisë “Isdiar LLC”, përfshirë projektin e Aeroportit të Bengazit në Libi.

Sa i përket grantit, në aktvendim përshkruhen dyshime për paraqitjen e makinerive ekzistuese si investime të reja, përdorimin e një fature fiktive dhe devijimin e mjeteve, me një përfitim të pretenduar të kundërligjshëm prej 39.595 eurosh.

Në pjesën që lidhet me kompaninë “Isdiar LLC”, vendimi përshkruan dyshime për një pagesë prej 600 mijë dollarësh, të bazuar në një faturë të parregullt, si dhe për transferta në vlerë të përgjithshme prej rreth 1,75 milion eurosh për shërbime që, sipas dyshimeve të paraqitura në aktvendim, nuk ishin ofruar.

Vendimi i Gjykatës së Apelit ka të bëjë me masën e paraburgimit dhe nuk përbën vendim për fajësinë e Llukës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë sërish momente nga…