Haxhiu: Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigjja e një populli që kërkonte vetëvendosje
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 7 shtatorin, datën kur më 1990 delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Kushtetutën e Kaçanikut.
Haxhiu ka thënë se miratimi i kësaj kushtetute ka ndodhur në rrethana të rënda represioni dhe përndjekjeje politike.
“Më 7 shtator 1990, në rrethana të rënda represioni dhe përndjekjeje politike, delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, duke i dhënë bazë kushtetuese vullnetit të shprehur më 2 korrik për Kosovën Republikë”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.
Ajo ka vlerësuar se Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigje ndaj përpjekjeve të Serbisë për të rrënuar autonominë e Kosovës dhe për të nënshtruar vullnetin politik të qytetarëve.
“Teksa Serbia po rrënonte autonominë e Kosovës, po shuante institucionet e saj dhe po përpiqej ta nënshtronte me dhunë vullnetin politik të qytetarëve, Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigjja e një populli që nuk pranonte të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, rëndësia e këtij akti shkon përtej tekstit juridik të miratuar atë ditë, pasi dëshmonte se Kosova, edhe nën represion, kishte vullnetin dhe kapacitetin për t’i dhënë formë juridike përcaktimit të saj politik.
Haxhiu ka përmendur edhe kontributin e juristëve dhe delegatëve në hartimin dhe miratimin e Kushtetutës, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm në rrugën drejt Republikës.
Ajo ka thënë se rruga e nisur me Deklaratën e 2 Korrikut dhe e konkretizuar me Kushtetutën e Kaçanikut ka vazhduar përmes rezistencës, luftës çlirimtare dhe sakrificës së shumë brezave, deri te çlirimi i Kosovës dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
“Në hartimin e saj qëndron puna e juristëve që, në kushte të jashtëzakonshme, ndërtuan një rend kushtetues mbi vullnetin e qytetarëve të Kosovës, ndërsa në votën e delegatëve qëndron guximi i një brezi që mori mbi vete përgjegjësinë për t’i dhënë kërkesës për Republikë formën e një akti kushtetues. Rruga që nisi me Deklaratën e 2 korrikut dhe mori trajtë kushtetuese më 7 shtator vazhdoi përmes rezistencës së qytetarëve të Kosovës, luftës çlirimtare dhe sakrificës së shumë brezave, deri te çlirimi i vendit dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008”, ka theksuar ajo.
Në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, Haxhiu ka nderuar hartuesit dhe delegatët që e miratuan atë, si dhe të gjithë ata që, sipas saj, e mbajtën të gjallë kërkesën për Republikë gjatë viteve më të vështira.
“Sot, në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, nderojmë hartuesit e saj, delegatët që e miratuan dhe të gjithë ata që në vitet më të vështira e mbajtën të gjallë kërkesën për Republikë. Ajo që më 7 shtator 1990 mori formë kushtetuese ishte një përcaktim politik që historia e Kosovës do ta çonte përpara deri në pavarësi dhe shtetësi”, ka shkruar Haxhiu.



