Haxhiu pranon letrat kredenciale të ambasadorit të Francës: Kosova e çmon lart miqësinë dhe mbështetjen
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pranuar letrat kredenciale të ambasadorit të ri të Francës në Republikën e Kosovës, Jean-François Huchet.
Në një postim në “Facebook”, Haxhiu ka bërë me dije se e çmon lart miqësinë dhe mbështetjen e Francës për Kosovën.
“Kosova e çmon lart miqësinë dhe mbështetjen e Francës, si gjatë periudhës së luftës, ashtu edhe në vitet e shtetndërtimit. Sot, marrëdhëniet tona mbështeten në një bashkëpunim të gjerë politik, ekonomik, të sigurisë, arsimit dhe kulturës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka treguar se me ambasadorin e ri të Francës kanë diskutuar për mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
“Biseduam edhe për mundësitë që ky bashkëpunim të zgjerohet më tej, veçanërisht pas marrëveshjeve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Francës, të cilat krijojnë mundësi të reja për bashkëpunim. Ambasadorit Huchet i urova një mandat të suksesshëm dhe e sigurova për bashkëpunimin tim të plotë në forcimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Francës”, ka shkruar Haxhiu.



