Avni Arifi: Lista Serbe mund t’ia çojë Kurtit në tavolinë datën e zgjedhjeve që i konvenon

09 shtator 2026 | 14:50

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka deklaruar se Lista Serbe mund të ndikojë në përcaktimin e datës së zgjedhjeve të reja në Kosovë, duke i hapur rrugë, sipas tij, një date që do t’i konvenonte kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Arifi ka bërë një kalkulim të afateve kushtetuese, duke thënë se nëse më 13 shtator konstituohet Kuvendi i Kosovës, atëherë nga ajo datë nis afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, ky afat do të përfundonte rreth datës 13-14 nëntor.

“Presidentin nuk e zgjedhin sepse edhe me dashtë e dinë që e kanë shkelë Kushtetutën. Plus, votat nuk i kanë”, ka shkruar Arifi në ‘Facebook’.

Ai ka shtuar se pas përfundimit të këtij afati mbeten rreth 45 ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve, çka, sipas kalkulimit të tij, do ta çonte datën e zgjedhjeve në fund të dhjetorit, me 27 dhjetorin si të diel.

“Pra, shumë thjesht është kjo. Lista Serbe me votën e vet mundet me ia çu Kurtit në tavolinë pikërisht datën që atij i konvenon”, ka shkruar Arifi.

Ai ka bërë thirrje që opozita të mos e pranojë një skenar të tillë.

“Opozita nuk ka obligim t’ia pranojë këtë dhuratë. Përkundrazi, ka obligim politik ta prishë këtë kalendar dhe të mos lejojë që data e zgjedhjeve të përcaktohet nga kalkulimi i Kurtit dhe vota e Listës Serbe”, ka përfunduar Arifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se kjo parti…