Kurti: Të dakordohen partitë për nënkryetarët, synohet shmangia e zgjedhjeve të reja
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë thirrje për dakordim mes partive politike për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit, pas ndërprerjes së seancës konstituive.
Kurti ka thënë se me zgjedhjen e Albulena Haxhiut në krye të Kuvendit ka nisur procesi i konstituimit të legjislaturës së 11-të, ndërsa tash mbetet zgjedhja e nënkryetarëve.
“Së pari u zgjodh Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit të legjislaturës së 11-të. Me këtë rast filloi konstituimi i Kuvendit. Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet t’i zgjedhim edhe nënkryetarët. Për këtë nevojitet dakordim. Unë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim edhe për zgjedhjen e nënkryetarëve. Le të jemi pozitivë dhe konstruktivë dhe, në këtë mënyrë, të kemi Kuvend të konstituuar, shpejt qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit, që duhet të bëhet për t’i evituar zgjedhjet e reja”, ka thënë ai.
Kurti ka komentuar edhe deklaratën e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, gjatë propozimit të Sllavko Simiqit për nënkryetar të Kuvendit.
“Siç e tha kryetarja e Kuvendit, deklarata e përfaqësuesit të Listës Serbe ishte në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ishte në shpërputhje me betimin që e ka bërë. Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Sllavko Simiqin. Propozimin që ka deponuar e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë që e deklaroi ishte në shpërputhje. Kjo mund të jetë edhe në kuadër të euforisë së tij nga varrimi i Ratko Mlladiqit, i komandantit dhe gjeneralit që masakroi boshnjakët në Srebrenicë, që u nderua nga shteti serb dhe Kisha Ortodokse Serbe”.
“Si do që të jetë, nuk mund të votohet në Kuvendin e Republikës ai propozim që u deklarua, vetëm ai propozimi që u dërgua me shkrim është në përputhje me Kushtetutën. Duhet ta kemi dakordimin për nënkryetarët dhe shpresoj që këtë ta arrij sa më parë me Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun”, ka thënë ai. /EO



