Rriten vizitat shëndetësore dhe rastet e sëmundjeve malinje në Kosovë

09 shtator 2026 | 12:50

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Shëndetësisë për vitin 2025, me të dhëna për punësimin në sektorin shëndetësor, sëmundjet, vizitat mjekësore dhe aktivitetet e institucioneve shëndetësore publike e private.
Sipas ASK-së, gjatë vitit 2025 numri i vizitave në institucionet shëndetësore është rritur në të gjitha nivelet, përfshirë shëndetësinë primare, sekondare dhe terciare. Rritje më të theksuar është vërejtur në laboratorët e të gjitha niveleve.
Ndërkohë, rastet e reja të personave të prekur nga sëmundjet malinje dhe beninje janë rritur për 3.6 për qind.
Nga 3,644 raste të regjistruara në vitin 2024, numri ka arritur në 3,775 raste gjatë vitit 2025.

Mbi 14 mijë të punësuar në sektorin publik

Në sektorin publik shëndetësor, gjatë vitit 2025 kanë qenë të punësuar gjithsej 14,444 persona.
Prej tyre, 3,117 ishin mjekë specialistë, 386 mjekë stomatologë, 120 farmacistë, 57 fizioterapistë, 8,151 infermierë, 235 bashkëpunëtorë shëndetësorë dhe 2,378 pjesëtarë të stafit jo-mjekësor.
Në bazë të të dhënave të odave të profesionistëve shëndetësorë, në vitin 2025 ishin të licencuar 17,830 punonjës shëndetësorë: 6,491 mjekë, 5,402 infermierë, 2,725 stomatologë, 1,398 fizioterapistë dhe 1,814 farmacistë.
Nga numri i përgjithshëm i profesionistëve të licencuar, 10,531 janë meshkuj dhe 7,299 femra.

Mbi 2,300 institucione private të licencuara

ASK-ja ka bërë me dije se gjatë vitit 2025 numri i institucioneve private shëndetësore të licencuara ka arritur në 2,362.
Prej tyre, 33 janë spitale, ndërsa 2,329 janë institucione të tjera shëndetësore, përfshirë ambulanca, poliklinika, laboratorë dhe kabinete.
Numrin më të madh të institucioneve private e përbëjnë ambulancat stomatologjike, me 425, pasuar nga ambulancat gjinekologjike me 189 dhe qendrat diagnostike me 167.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëna e njërit prej fëmijëve të Elon Musk, Ashley St.…