Trajnerët e huaj ‘pushtojnë’ Superligën e Kosovës në basketboll
Sezoni 2026/27 në Superligën e Kosovës në basketboll do të nisë zyrtarisht vikendin e ardhshëm.
Më 19 dhe 20 shtator do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së parë, ku do të përballen Rahoveci 029 – Trepça, Bashkimi – Golden Eagle Ylli, Bora – Vëllaznimi dhe Sigal Prishtina – Peja.
E veçanta e këtij sezoni është se të tetë skuadrat e elitës së basketbollit kosovar do të drejtohen nga trajnerë të huaj.
Adis Beçiragiq do ta udhëheqë Trepçën për sezonin e katërt radhazi, pas dominimit total në tri sezonet e fundit me ekipin nga Mitrovica.
Bashkëpunimin me trajnerët e huaj nga sezoni i kaluar e kanë vazhduar edhe Bashkimi, Bora, Peja dhe Rahoveci 029.
Igor Jovoviq do të jetë në krye të Bashkimit, Zoran Kashqelan te Bora, Michalis Kakiouzis te Peja dhe Goran Samarxhiev te Rahoveci 029.
Rami Hadar është rikthyer në basketbollin e Kosovës dhe në sezonin e ri do të jetë në krye të Golden Eagle Yllit, ndërsa Jeronimo Sarin do ta drejtojë Sigal Prishtinën dhe Alek Jonçevski Vëllaznimin.
Sezoni i ri në basketbollin kosovar do të nisë zyrtarisht me finalen e Superkupës së Kosovës ndërmjet Trepçës dhe Bashkimit. Kjo ndeshje do të zhvillohet më 15 shtator në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.



