FSK zhvillon aktivitete trajnuese dhe përgatitore për rritjen e gatishmërisë së pjesëtarëve
Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara të regjimenteve të këmbësorisë së Komandës së Forcës Tokësore të FSK-së, janë zhvilluar një sërë aktivitetesh trajnuese, përgatitore dhe garuese.
Sipas FSK-së, këto aktivitete kanë pasur për qëllim avancimin e aftësive individuale dhe ekipore të pjesëtarëve, përmes forcimit të përgatitjes fizike dhe psikologjike, përsosjes së shkathtësive ushtarake dhe zhvillimit të punës ekipore.
Gjithashtu, aktivitetet kanë synuar forcimin e disiplinës, koordinimit dhe reagimit efektiv gjatë kryerjes së detyrave.
FSK ka vlerësuar se përkushtimi dhe angazhimi i vazhdueshëm i pjesëtarëve në këto aktivitete dëshmon rëndësinë që i kushtohet përgatitjes profesionale, disiplinës, bashkëpunimit dhe gatishmërisë për përmbushjen me sukses të detyrave.



