Haxhiu pas Marshit për Liri: Lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë për çlirim

12 shtator 2026 | 16:14

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas Marshit për Liri të mbajtur sot në Prishtinë, duke falënderuar organizatorët dhe qytetarët që morën pjesë në tubim.

Haxhiu tha se qytetarët e shprehën në mënyrë paqësore dhe dinjitoze një qëndrim që, sipas saj, në Kosovë ka qenë dhe mbetet i qartë.

Ajo theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim, duke e lidhur atë me vitet e shtypjes dhe dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Ajo erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës së një regjimi që përdori gjithë aparatin e vet shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë”, ka shkruar Haxhiu.

Sipas saj, Marshi i sotëm dëshmoi se ky qëndrim mund të shprehet fuqishëm, por njëkohësisht edhe në mënyrë të qetë dhe dinjitoze.

“Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë”, ka përfunduar kryetarja e Kuvendit.

Postimi i saj:

Falënderoj organizatorët e Marshit për Liri dhe qytetarët që sot dolën në Prishtinë për ta shprehur paqësisht dhe me dinjitet një qëndrim që në Kosovë ka qenë dhe mbetet i qartë.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Ajo erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës së një regjimi që përdori gjithë aparatin e vet shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë.

Marshi i sotëm tregoi se ky qëndrim mund të shprehet fuqishëm duke ruajtur njëkohësisht qetësinë dhe dinjitetin. Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Platforma qytetare “Liria ka Emër” falënderon nga zemra rreth 100…