Haxhiu: Deputetët ta përmbushin përgjegjësinë kushtetuese për zgjedhjen e presidentit

13 shtator 2026 | 17:13

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe kabinetin e ri qeveritar pas votimit të Qeverisë së re në Kuvend.

Haxhiu ka thënë se institucionet e Kosovës përpara kanë shumë punë, duke veçuar reformat, zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

Ajo ka theksuar se Kuvendi do të vazhdojë të përmbushë përgjegjësitë e tij përmes agjendës legjislative dhe mbikëqyrjes parlamentare të punës së ekzekutivit, transmeton Klankosova.tv.

“Me votimet e sotme, Republika e Kosovës tashmë i ka Kuvendin dhe Qeverinë. Mbetet edhe një hap i rëndësishëm për kompletimin e institucioneve e që është zgjedhja e Presidentit të Republikës”, ka shkruar Haxhiu në “Facebook”.

Ajo ka bërë thirrje që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe procesi për zgjedhjen e Presidentit të përmbyllet me sukses.

“Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe stabile dhe jo për pritje dhe vonesa të reja”, ka shkruar Haxhiu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka kundërshtuar…