Tahiri: Një shumicë pa busull, kemi Kuvend dhe qeveri jashtëkushtetuese
Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër seancën në Kuvend, duke e cilësuar shumicën e re parlamentare si “pa busull”.
Tahiri ka thënë se pas gati dy vitesh me kriza politike, institucionale, kushtetuese dhe ekonomike, Kosova tashmë ka një Kuvend dhe një qeveri jashtëkushtetuese.
“Një shumicë që prodhon kriza në një kohë kur për vendin priten vendime jetike për historinë, por edhe për të ardhmen”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
Ai ka akuzuar shumicën për “kriza dhe lojëra politike”, duke thënë se vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë parë, sipas tij, “plot makinacione e papërgjegjësi”.
Tahiri është ndalur edhe te votimi në Kuvend, duke thënë se përmes tij u dëshmua se sa të sinqerta kanë qenë qëndrimet e deputetëve ndaj deklaratave antishtetërore të Listës Serbe.
Sipas tij, qytetarët kanë dëgjuar sërish premtime të njëjta nga Qeveria Kurti 4, ndërsa vendi nuk ka parë rezultate konkrete.
“Miliona të shpenzuara pa asnjë projekt të përmbyllur. Kjo po ndodh në një kohë kur kriza e çmimeve ka rënduar jetën e qytetarëve, kur nafta ka arritur në 1 euro e 83 cent, faturat e energjisë kanë prekur kulmin dhe inflacioni për të njëjtën periudhë është rritur në 7.3 për qind”, ka shkruar Tahiri.
Në fund, nënkryetari i Aleancës ka kritikuar ashpër qeverisjen, duke thënë se “këtyre njerëzve u ka humbur busulla” dhe se, sipas tij, po ia humbin rrugën edhe popullit dhe shtetit.



