Kongresisti Wilson: Serbia po bëhet pikëmbështetje e Kinës në Evropë

13 shtator 2026 | 09:39

Kongresisti republikan Joe Wilson thotë se Aleksandar Vuçiç e ka afruar Serbinë me Rusinë, Kinën dhe Iranin dhe i cilëson afrimet e presidentit serb me Perëndimin “mashtruese”.

Kongresisti republikan amerikan Joe Wilson ka paralajmëruar se Serbia po shndërrohet në një pikëmbështetje të Kinës në Evropë, ndërsa ka ngritur pikëpyetje të forta mbi drejtimin politik të presidentit Aleksandar Vuçiç dhe marrëdhëniet e Beogradit me Perëndimin.

Në një prononcim për Albanian Post, Wilson, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve dhe një nga ligjvënësit amerikanë që kohët e fundit është përfshirë drejtpërdrejt në debatin mbi të ardhmen politike të Serbisë, e përshkruan me tone veçanërisht të ashpra praninë teknologjike dhe strategjike të Kinës në vend.

“Teknologjia dhe prania e Partisë Komuniste Kineze janë gjithmonë gërryese dhe gjithmonë kanë të bëjnë me kontrollin”, tha Wilson për Albanian Post.

Sipas tij, shqetësimi nuk kufizohet te investimet kineze.

“Prania e robotikës, sistemeve të mbikëqyrjes, radarëve dhe mbrojtjes ajrore të CCP-së (Partia Komuniste Kineze – ed.), si dhe bashkëpunimi policor dhe e ashtuquajtura ‘miqësi e hekurt’ mes Vuçiçit dhe CCP-së janë thellësisht shqetësuese.”

Më pas Wilson shkon edhe më tej.

“Vuçiç po e bën Serbinë një pikëmbështetje të CCP-së në Evropë, ndërsa po e shet vendin mbi kokat e popullit serb”, theksoi ai për Albanian Post.

Sipas kongresistit, pasojë e këtij orientimi mund të jetë zgjerimi i “autoritarizmit digjital” kinez dhe përpjekjeve për të minuar paqen në rajon.

Deklaratat vijnë në një moment kur pozicionimi i Serbisë mes Perëndimit, Kinës dhe Rusisë po merr vëmendje gjithnjë e më të madhe në Washington dhe në kryeqytetet evropiane.

Vetëm këtë javë, The Telegraph e përshkroi Vuçiçin si një politikan që për më shumë se një dekadë ka përsosur një ekuilibër gjeopolitik të pazakontë, duke ruajtur një “miqësi të hekurt” me Xi Jinping, marrëdhënie me Vladimir Putinin dhe njëkohësisht lidhje me Donald Trump dhe drejtuesit e Bashkimit Evropian.

Por Wilson e kundërshton idenë se kjo politikë përfaqëson një ekuilibër real mes Lindjes dhe Perëndimit.

“Vuçiç është afruar me kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara – Rusinë, Kinën dhe Iranin. Ai bën afrime me Perëndimin, por ato janë mashtruese”, shtoi Wilson për Albanian Post.

Kongresisti e krahasoi këtë qasje me mënyrën se si, sipas tij, Vladimir Putin e trajtoi Perëndimin për vite me radhë.

“E kemi parë këtë shfaqje më parë, me mënyrën se si krimineli i luftës Putin e luajti Perëndimin për shumë vite. Duhet t’u kushtojmë shumë vëmendje fakteve në terren.”

Wilson e përshkroi qeverisjen e Vuçiçit si një “regjim autoritar të korruptuar” dhe e akuzoi presidentin serb se po nxit urrejtjen në rajon.

“Realiteti është se Vuçiç ka krijuar një regjim autoritar të korruptuar në Serbi, është rreshtuar me kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara dhe po ndez flakët e urrejtjes në rajon”, deklaroi ai.

“Ai përpiqet ta paraqesë sikur populli serb e mbështet këtë, por kjo është një tjetër gënjeshtër – bëhet fjalë vetëm për regjimin e tij dhe obsesionin autokratik për të ruajtur pushtetin.”

Kritikat e Wilson lidhen me qëndrimet që ai ka shprehur më parë për drejtimin politik të Serbisë.

Në një deklarim për mediat, ai i kishte cilësuar protestat studentore në Serbi si një “frymëzim të madh” personal dhe kishte argumentuar se interesi i Shteteve të Bashkuara duhet të jetë zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Wilson është gjithashtu sponsor i një propozimi legjislativ për Serbinë, i njohur si “Serbia Act”, i cili kritikon prapakthimin demokratik dhe parashikon që dialogu strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë të lidhet me çështje si zgjedhjet e lira, sundimi i ligjit, korrupsioni, liria e medias dhe ndikimi rus e kinez.

Në intervistat e mëparshme, Wilson kishte veçuar teknologjinë kineze të komunikimit dhe potencialin e saj për spiunazh si shqetësimin e tij kryesor.

Në prononcimin për Albanian Post, ai e zgjeron paralajmërimin te prania më e gjerë teknologjike dhe e sigurisë së Pekinit në Serbi.

Marrëdhëniet e Serbisë me Kinën janë thelluar ndjeshëm. Vuçiç vizitoi Pekinin në maj dhe mori nga Xi Jinping “Medaljen e Miqësisë”, ndërsa lidhjet politike dhe ekonomike mes dy vendeve janë zgjeruar.

The Telegraph shkruante këtë javë se Vuçiç mund të ketë ndërtuar me Kinën aleancën e tij më të thellë, edhe pse Pekini është një rival strategjik si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Bashkimin Evropian.

Por Wilson e sheh këtë jo vetëm si çështje të politikës së jashtme serbe, por edhe si problem për interesat amerikane dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Në deklarimin për Albanian Post, ai ngriti edhe çështjen e glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës.

“Është regjimi i Vuçiçit dhe vetëm regjimi i Vuçiçit që nderon kriminelët e luftës”, tha Wilson.

Ai e lidhi drejtpërdrejt këtë me mënyrën se si presidenti serb, sipas tij, përpiqet të paraqitet para Perëndimit si alternativë ndaj forcave edhe më radikale.

“Ai përpiqet ta kërcënojë Perëndimin duke thënë se alternativa ndaj tij janë vetëm radikalët gjakatarë, por kjo nuk është e vërtetë.”

Wilson akuzoi regjimin serb se kishte organizuar atë që e quajti “shfaqjen e neveritshme” në nderim të Ratko Mladiçit.

“Është vetëm regjimi i Vuçiçit që ndez flakët e urrejtjes”, tha ai.

Në këtë pikë, kongresisti bëri sërish dallimin mes qeverisjes së Vuçiçit dhe qytetarëve serbë.

“Populli serb dëshiron sundim të ligjit, prosperitet dhe paqe. Nëse do t’i jepej mundësia në zgjedhje të lira dhe të ndershme, këtë do të zgjidhte.”

Qëndrimet e Wilson marrin peshë edhe për shkak të përpjekjes së tij për t’i kthyer këto shqetësime në politikë amerikane.

Projektligji i tij për Serbinë kërkon që marrëdhëniet e Washington-it me Beogradin të mos ndahen nga çështjet e demokracisë, sundimit të ligjit dhe ndikimit të Rusisë dhe Kinës.

Wilson ka propozuar që dialogu strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë të pezullohet nëse këto çështje nuk bëhen pjesë e diskutimeve me Beogradin.

Projektligji është bashkësponsorizuar nga demokrati William Keating dhe ka marrë mbështetjen edhe të republikanit Keith Self, kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.

Hapi i ardhshëm është sigurimi i mbështetjes së ligjvënësve të tjerë dhe diskutimi i propozimit me përfaqësues të Departamentit të Shtetit.

Nëse nisma avancon në Kongres, qëndrimet që Wilson artikulon ndaj Beogradit mund të bëhen pjesë e një debati më të gjerë mbi drejtimin e politikës së Shteteve të Bashkuara ndaj Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se vendi i tij "nuk…