Nënkryetarja e re e Kuvendit, dekane e universitetit paralel serb, thoshte se serbët në Kosovë vuajnë si në kohën e Perandorisë Osmane

13 shtator 2026 | 13:44

Deputetja serbe, Tanja Vujoviq është zgjedhur sot nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka marrë edhe votat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pasi bashkëpartiakët e saj nga Lista Serbe nuk arritën t’i merrnin votat e nevojshme.

Vujoviqi është dekane e Universitetit të Mitrovicës së Veriut, i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë.

Dekanja e institucionit paralel, të cilit serbët i referohen si universiteti “me seli të përkohshme në Mitrovicë”, ka folur disa herë për pozitën “jashtëzakonisht të vështirë” të serbëve në Kosovë.

“Çdokush duhet të jetë i vetëdijshëm se pozita e serbëve në këto zona është jashtëzakonisht e vështirë dhe mund të krahasohet me periudhën e Perandorisë Osmane, kur serbët paguanin taksa dhe haraçe të ndryshme. Nuk e teproj kur them se situata është e ngjashme edhe sot, duke pasur parasysh se po dëshmojmë arrestime të fëmijëve nga Policia e Kosovës për shkak të këngëve serbe ose bluzave me mbishkrime serbe, si dhe faktin se kemi njerëz të dënuar padrejtësisht në burgjet e Prishtinës”, i kishte deklaruar ajo në mars të këtij viti mediumit serb “TV Prva”.

Megjithatë, në mars të këtij viti, ajo kishte thënë se Ligji për të Huajt, i miratuar nga Qeveria e Kosovës, “do të sigurojë vazhdimin e funksionimit të institucioneve brenda sistemit të Serbisë”.

“Ne e dimë se çfarë po mbrojmë dhe nuk do të heqim dorë nga kjo luftë”, kishte deklaruar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka…