Hasani: Pas raportit të Dick Martyt, Kosova ishte në defensivë, më pas u pa një strategji për një qëllim të caktuar

14 shtator 2026 | 14:16

Në prag të shpalljes së verdiktit përfundimtar nga Dhomat e Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, në Prishtinë është mbajtur konferenca kombëtare “Lufta për UÇK-në”, e organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”.

Në këtë konferencë, profesori Enver Hasani ka thënë se pas publikimit të raportit të Dick Martyt, Kosova ka qenë në defensivë, ndërsa me zhvillimin e ngjarjeve, sipas tij, është parë se raporti dhe procesi që pasoi kanë qenë pjesë e një strategjie për arritjen e një qëllimi të caktuar.

“Siç e dimë, nga momenti që është bërë publik raporti i Dick Martyt, ne kemi qenë në defensivë. Ajo ka qenë një çështje dhe një proces mjaft i komplikuar. Të gjithë njerëzit kanë besuar, sepse ka qenë fjala për prova, por, pastaj, si janë zhvilluar ngjarjet, ne në mënyrë graduale kemi filluar të shohim se ajo ka qenë një strategji e dizajnuesve të kësaj gjykate dhe është bërë si mjet për të arritur një qëllim të caktuar”, ka thënë Hasani.

Hasani ka folur edhe për dimensionin gjeopolitik të themelimit të Dhomave të Specializuara, duke pretenduar se Rusia ka pasur rol instrumental në bashkëpunim me Serbinë në këtë proces.

“Duhet të thuhet që, përveç aspektit teknik që është prodhuar, rusët kanë qenë instrumentalë me serbët në çdo detaj të tij. Është e kuptueshme që ne jemi të vetëdijshëm se Serbia asnjëherë nuk mund ta pranojë realitetin që është krijuar në Kosovë dhe ajo e ka përdorur dhe do ta përdorë për delegjitimimin e shtetësisë së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Sipas Hasanit, dimensioni gjeopolitik ka qenë vendimtar në themelimin e Dhomave të Specializuara.

“Dimenzioni gjeopolitik atëherë dhe sot ka qenë vendimtar në themelimin e saj. Është e qartë se ajo ka qenë pjesë e procesit të marrëveshjes me rusët, që me i qetësuar gjakrat, se Serbia po thotë se shqiptarët kanë bërë vrasje, të provojmë që ajo të mos jetë”, ka thënë Hasani.

Ai ka shtuar se, nëse Dhomat e Specializuara nuk do të ishin themeluar nga Kuvendi i Kosovës, beson se një mekanizëm i tillë do të ishte krijuar nga Kombet e Bashkuara.

“Kam qenë atëherë dhe sot jam krejtësisht i sigurt që, po të mos ishte formuar nga Kuvendi i Kosovës, do të ishte formuar nga OKB-ja, pa asnjë diskutim, dhe gjërat do të kishin shkuar edhe shumë më keq për Kosovën. Për shkak se kontrolli i aleatëve ndaj një procesi të drejtë dhe të paanshëm do të kishte qenë margjinal”, ka përfunduar Hasani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“BBVK5” është gati për sezonin e pestë. Burime të Indeksonline…