Presidenca shndërrohet në “kurth” politik, pesë kandidatura bien brenda pak muajsh
Pozita e presidentit të Kosovës është shndërruar në një “kurth” politik për kandidatët e propozuar gjatë krizës së gjatë institucionale.
Brenda pak muajsh, pesë kandidatura janë tërhequr. Emri i fundit është ai i Bekim Sejdiut, kandidati jopartiak për të cilin ishin pajtuar Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku.
Sejdiu njoftoi tërheqjen pasi u bë e qartë se nuk e kishte mbështetjen e nevojshme parlamentare.
Ai vlerësoi se kandidatura e tij ishte përfshirë në përplasjet e brendshme politike, duke humbur qëllimin fillestar të zhbllokimit institucional.
Përpara tij, nga gara ishin tërhequr Glauk Konjufca dhe deputetja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, kandidatët fillestarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Emrat e tyre ishin paraqitur për seancën e 5 marsit, por nuk ishin hedhur në votim për shkak të mungesës së kuorumit.
Më 27 prill, Konjufca dhe Mulhaxha-Kollçaku i tërhoqën kandidaturat, duke i hapur rrugë një formule tjetër presidenciale.
Vetëvendosje më pas propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Në raundin e parë të votimit, Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë. Procesi dështoi përfundimisht për mungesë kuorumi.
Rushiti më vonë konfirmoi se nuk ishte më në diskutime për presidente dhe se do ta vazhdonte angazhimin në organizatën e saj.
Pra, Hoxha nuk u tërhoq formalisht por kandidatura e saj dështoi në votim. Rushiti, ndërkaq, u largua nga diskutimet pas dështimit të procesit.
Gjatë kësaj kohe, u përmendën edhe emra si: Murat Jashari, Andin Hoti etj.
Presidenca, ndërkaq, mbetet nyja kryesore e krizës politike, pasi zgjedhja kërkon praninë e së paku 80 deputetëve në raundin e parë.



