2.5-fishohen orët e përgatitjes ushtarake në Rusi, nxënësit përgatiten për përplasje me NATO-n
Në shkollat ruse është rritur me 2.5 herë numri i orëve të detyrueshme të përgatitjes fillestare ushtarake (NVP), ndërsa nxënësit po trajnohen edhe për përdorimin e dronëve dhe armëve të zjarrit.
Ministri rus i Arsimit, Sergej Kravcov, ka bërë të ditur se nga ky vit shkollor përgatitja ushtarake përbën 50 për qind të lëndës “Bazat e sigurisë dhe mbrojtjes së atdheut”. Gjatë katër viteve shkollore, kjo nënkupton gjithsej 68 orë trajnim, ndërsa më parë NVP përbënte vetëm 20 për qind të kohës së kësaj lënde, raportojnë mediat ruse.
Sipas autoriteteve ruse, qëllimi i programit është përgatitja e nxënësve për shërbimin ushtarak dhe pajisja e tyre me njohuri e aftësi që lidhen me mbrojtjen e shtetit.
Nxënësit nga klasa e tetë deri në të njëmbëdhjetën do të mësojnë bazat e sigurisë kombëtare, disiplinën dhe rregulloret ushtarake, stërvitjen rreshtore, mbrojtjen civile, përdorimin e mjeteve mbrojtëse dhe procedurat e evakuimit.
Programi përfshin gjithashtu tema për luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit, si dhe trajnime praktike për ndihmën e parë.
Por përgatitja shkon përtej njohurive bazë të sigurisë. Ministri Kravcov ka deklaruar se nxënësit do të mësojnë edhe për mjetet ajrore pa pilot, përkatësisht dronët, dhe do të zhvillojnë ushtrime praktike.
Nisma vjen pasi autoritetet ruse nisën që në prill përgatitjet për ta veçuar NVP-në si një komponent të posaçëm të arsimit shkollor. Deputetja e Dumës së Moskës, Ekaterina Razakova, e ka përshkruar atë si rikthim të trajnimit paraushtarak në shkolla, tashmë me fokus te aftësitë e mbijetesës dhe përdorimi i dronëve.
Kursi do të ketë edhe një “komponent historik dhe patriotik”, sipas zëvendësministres së parë të Arsimit të Rajonit të Moskës, Larisa Sulima. Ajo e ka lidhur këtë pjesë me pretendimin se shërbimet e inteligjencës perëndimore po veprojnë kundër Rusisë.
Ndërkohë, zëvendëskryetari i Komitetit parlamentar për Çështjet e Komonuelthit të Shteteve të Pavarura, Viktor Vodolacki, ka kërkuar që përgatitja fillestare ushtarake të bëhet e detyrueshme për të gjithë nxënësit, duke nisur që nga klasa e pestë.
Vodolacki, i cili e ka lidhur rikthimin e NVP-së me periudhën pas nisjes së luftës kundër Ukrainës, ka thënë se fëmijët rusë duhet të përgatiten për një konflikt të mundshëm me NATO-n, menjëherë pas përfundimit të mësimit në shkollën fillore.
Si argument për këtë kërkesë, ai ka përmendur parashikimet e politikanëve perëndimorë për një përshkallëzim të mundshëm në vitet e ardhshme.



