Besa Ismaili-Ahmeti: Drejtësia për Hashim Thaçin nuk përbën kërcënim për askënd

15 shtator 2026 | 11:26

Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili-Ahmeti, ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Përmes një postimi, Ismaili-Ahmeti ka theksuar se drejtësia për Thaçin dhe të tjerët nuk përbën kërcënim për askënd, duke nënvizuar se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës demokratike.

“Drejtësia për Hashim Thaçin et al. nuk përbën kërcënim për askënd. Kosova mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj paqes, stabilitetit dhe bashkëjetesës demokratike”, ka shkruar ajo.

Ismaili-Ahmeti ka thënë se Kosova kërkon vetëm drejtësi për një popull që, sipas saj, e fitoi lirinë përmes sakrificave të jashtëzakonshme dhe të drejtën që historia e tij të mos shtrembërohet përmes interpretimeve dhe barazimeve të paqena.

Ajo ka theksuar gjithashtu se kërkesa për drejtësi nuk është e drejtuar kundër asnjë populli dhe veçanërisht jo kundër komunitetit serb në Kosovë.

“Serbët e Kosovës janë pjesë e pandashme e shoqërisë dhe e së ardhmes së përbashkët të Kosovës. Ata meritojnë siguri, respekt dhe liri për t’i përfaqësuar interesat e tyre, pa instrumentalizim politik nga Beogradi dhe pa u përdorur për të përhapur frikë apo për të krijuar tensione të panevojshme”, ka deklaruar ajo.

Ish-deputetja e PDK-së ka kritikuar disa përfaqësues politikë lokalë të komunitetit serb, të cilët, sipas saj, po spekulojnë me rezultatin e mundshëm të procesit në Hagë dhe po përhapin frikë brenda komunitetit të tyre.

Sipas Ismaili-Ahmetit, një retorikë e tillë nuk u shërben interesave dhe sigurisë së serbëve të Kosovës, por vetëm thellon mosbesimin dhe krijon tensione.

Në fund, ajo ka theksuar se komuniteti serb nuk ka arsye të ndihet i kërcënuar nga cilido vendim që mund të merret në Hagë.

“Drejtësia për Hashim Thaçin nuk përbën kërcënim për askënd. Përkundrazi, lirimi i tij do t’i kontribuonte paqes dhe pajtimit, duke ndihmuar njëkohësisht që historia e Kosovës të çlirohet nga barra e rëndë e një padrejtësie të thellë”, ka shkruar Ismaili-Ahmeti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkencëtari Naim Krasniqi ka botuar edhe në gjuhën angleze librin…