Djali i Fatmir Limajt në Hagë: Erdha si fëmijë për babanë, u ktheva 17 vjet më vonë për shokët e tij – padrejtësia ishte e njëjtë

15 shtator 2026 | 11:32

Djali i Fatmir Limajt, Durimi, një ditë para shpalljes së vendimit ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, ka kujtuar momentet e rënda të para disa viteve, kur familja e tij ishte në pritje të babait për t’u liruar nga Haga.

Përmes një postimi në “Facebook”, ai ka shkruar se në Hagë kishte shkuar për herë të parë si fëmijë për ta vizituar babanë, ndërsa 17 vjet më vonë është kthyer për të vizituar bashkëluftëtarët e tij.

“Për herë të parë erdha në këtë vend në vitin 2003. Prita para këtyre dyerve për tre vite, deri në fund të vitit 2005. Atëherë isha fëmijë. Nuk kuptoja shumë se çfarë po ndodhte. E dija vetëm se po vija të vizitoja babin. E dija se po mbahej padrejtësisht, sepse arsyeja ishte lufta. Ajo luftë të cilën e kisha përjetuar vetë, si fëmijë 7, 8 dhe 9-vjeçar. Por detajet e padrejtësisë nuk i kuptoja”, ka shkruar Limaj.

Ai ka treguar se 17 vjet më vonë u kthye sërish në Hagë, këtë herë si profesionist, për të vizituar shokët e babait të tij.

“Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, u riktheva në këtë vend. Tashmë si profesionist, për të vizituar shokët e babit në rrafshin personal; çlirimtarët dhe themeluesit e shtetit, në rrafshin kombëtar. Ishte e njëjta padrejtësi”, ka shkruar ai.

Durimi ka thënë se, ndryshe nga hera e parë, tashmë e kupton në detaje atë që e quan padrejtësi, ndërsa ka rrëfyer edhe disa nga kujtimet e tij me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin.

“Gjatë procedurës së hyrjes nëpër këto dyer, kujtimet e kohës së luftës më erdhën si në mjegull. Kujtime nga ajo luftë që e kisha përjetuar vetë. E njëjta ndjenjë rëndese, e njëjta padrejtësi, si në vitet 2003-2005”, ka shkruar ai.

Teksa priste për legjitimim dhe leje për të hyrë në vizitë, Limaj ka thënë se i kujtoheshin ditët kur Rexhep Selimi e merrte në përqafim dhe i tregonte tregime për heronjtë.

Ai ka kujtuar edhe fjalët e Jakup Krasniqit, të cilin e ka përshkruar si profesor të nderuar, duke thënë se fjalët e tij bartnin përvojën jetësore dhe akademike të një patrioti e shqiptari të madh.

“Fjalë që kishin peshë. Fjalë që bartnin përvojën jetësore dhe akademike të një patrioti e shqiptari të madh. Kujtime të ngjashme kisha edhe me Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli. Në ato rrethana të luftës, sa herë që më shihnin, më prisnin me përqafim dhe më ledhatonin kokën. Ndërsa tash, po vija të shihja lirinë e burgosur. Kjo ishte ndjenja që më rëndonte. Po aq e rëndë sa ajo e viteve 2003–2005”, ka shkruar Limaj.

Ai ka thënë se tashmë nuk mund të bënte dallim mes asaj kohe dhe së sotmes, përveç faktit se tani e kuptonte shumë më mirë atë që e konsideron padrejtësi.

“Nuk mund të bëja dallim mes asaj kohe dhe kësaj të sotmes, përveç një gjëje: tashmë e kuptoja shumë mirë padrejtësinë”, ka shkruar ai.

Në fund, Durim Limaj ka shprehur shpresën se vizita e radhës në Hagë do të jetë e fundit dhe se katër ish-drejtuesit e UÇK-së do të kthehen në Kosovë.

“Sot po vij në të njëjtin vend, me shpresën dhe besimin se kjo është hera e fundit që po e kaloj këtë procedurë. Sepse nesër, liria jonë do të lirohet. Çlirimtarët tanë do të kthehen në vendin që e çliruan, në vendin që e bënë shtet, për të vazhduar fuqizimin e tij. Nesër, historia e luftës sonë do të marrë edhe një vulë tjetër drejtësie. Vulën e fundit. TRIUMFUESE”, ka përfunduar Limaj.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Komunave të Kosovës, me mbështetjen e OSBE-së, mbajti…