Çitaku reagon për vdekjen e Flora Brovinës: Trime dhe intelektuale, ja çfarë i tha Thaçit pas lirimit nga burgu

15 shtator 2026 | 11:34

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar për vdekjen e Flora Brovinës, të cilën e ka përshkruar si një grua të jashtëzakonshme, trime, intelektuale dhe fisnike.

Çitaku ka thënë se nuk do ta harrojë kurrë takimin e parë të Brovinës me Hashim Thaçin dhe luftëtarët e tjerë të UÇK-së, pas lirimit të saj nga burgjet serbe, ku ishte mbajtur si peng lufte.

“Na paska lënë Flora Brovina. Një grua e jashtëzakonshme. Trime, intelektuale, fisnike. Një grua që, edhe pasi kishte kaluar nëpër aq shumë vuajtje, rezatonte vetëm mirësi. Nuk kam për ta harruar kurrë takimin e saj të parë me Hashim Thaçin dhe luftëtarët e UÇK-së, pas lirimit të zonjës Brovina nga burgjet serbe, ku po mbahej si peng lufte. ‘Djemtë e mi, sa më paska marrë malli për ju. Edhe më të bukur se në TV po më dukeni. Me ju jam gjithmonë’. Kështu ishte Flora. E ngrohtë, e guximshme, e pathyeshme. Me një dashuri të pakushtëzuar për Kosovën dhe njerëzit e saj”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.

Ajo ka theksuar se jeta e Brovinës ishte dëshmi e një gruaje që e deshi lirinë dhe i shërbeu vendit të saj, duke ruajtur njerëzoren edhe përballë vuajtjeve.

“Jeta e saj ishte dëshmi e një gruaje që e deshi lirinë, i shërbeu vendit të saj dhe, edhe përballë së keqes, nuk e humbi kurrë njerëzoren. Dritë të pastë shpirti, Flora Brovina. Kosova do të të kujtojë me nder e mirënjohje”, ka shkruar Çitaku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Djali i Fatmir Limajt, Durimi, një ditë para shpalljes së…