Në pritje të verdiktit, djali i Xhavit Hazirit fton qytetarët: Ta zbardhim natën në shesh

15 shtator 2026 | 12:28

Çlirim Haziri, djali i veprimtarit dhe dëshmorit të kombit Xhavit Haziri, ka bërë thirrje për tubim qytetar sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku ka paralajmëruar se do ta presë mëngjesin e 16 shtatorit, ditën kur pritet të shpallet verdikti për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Haziri i ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen pritjes nga ora 21:00, duke e cilësuar atë si një moment solidariteti dhe shprese për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Si djali i Xhavit Hazirit, pritjen e njoh mirë. Jam rritur me të. Unë dhe familja ime presim edhe sot e kësaj dite”, ka shkruar Haziri.

Ai ka thënë se kjo natë nuk duhet të kalohet veçmas, por në shoqëri të qytetarëve, në pritje të vendimit që pritet të shpallet në Hagë.

“Të rrimë bashkë sonte dhe ta zbardhim mëngjesin në shesh, në pritje të lirisë për çlirimtarët tanë”, ka shkruar ai.

Sipas Hazirit, vendimi i së mërkurës nuk lidhet vetëm me fatin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, por edhe me një kapitull të rëndësishëm të historisë së Kosovës dhe UÇK-së.

Ai ka bërë thirrje që pritja të jetë paqësore dhe qytetare, duke propozuar që qytetarët të mblidhen me mjete të thjeshta për ta kaluar natën së bashku.

“Ndonjëri me një batanije, tjetri me një kitarë, një tjetër me një çaj të nxehtë, por të gjithë me zemër dhe me shpresë për drejtësi. Sonte, mjafton të jemi aty. Të presim bashkë”, ka shkruar Haziri.

Mesazhin e tij e ka përmbyllur me një thirrje që e lidh pritjen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës: “Sepse, UÇK-ja ishte e popullit dhe populli është i UÇK-së”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleanca ka reaguar pas ndarjes nga jeta të veprimtares së…