Stojkoviqi: Vuçiqi po e kthen Serbinë në degë të Kinës
Ndërsa Beogradi vazhdon të flasë për perspektivën evropiane, lidhjet me Pekinin dhe Moskën po marrin gjithnjë e më shumë hapësirë në politikën e Vuçiqit.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme që Serbia të mbajë kursin drejt Bashkimit Evropian, Beogradi e ka thelluar edhe më tej bashkëpunimin me Kinën edhe në fushën e sigurisë.
Policia e Serbisë ka zhvilluar patrullime të përbashkëta me policinë kineze në qytetin Hainan, në kuadër të bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve. Kjo ndodhi në të njëjtën ditë kur në Serbi u zhvilluan disa stërvitje ushtarke me disa robotë kinezë.
Bashkëpunimi policor mes Serbisë dhe Kinës nuk është i ri. Sipas Global Times, në vitet e fundit janë zhvilluar disa patrullime të përbashkëta policore në të dyja vendet.
Zhvillimi vjen në një kohë kur Serbia vazhdon të deklarojë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik, ndërsa në praktikë Beogradi nën drejtimin e presidentit Aleksandar Vuçiq po zgjeron lidhjet politike, ekonomike, ushtarake dhe të sigurisë me Kinën dhe Rusinë.
Në lidhje me këtë zhvillim ka reaguar edhe avokati serb Cedomir Stojkoviq, i cili ka alarmuar për thellimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kinën.
“Dje, ndërsa Ushtria e Serbisë zhvillonte një stërvitje ku angazhoi robotë luftarakë kinezë, policia e Serbisë patrullonte së bashku në qytetin kinez Hainan”, ka shkruar Stojkoviq.
Ai e ka lidhur këtë zhvillim drejtpërdrejt me politikën e Vuçiqit, duke shkruar se presidenti serb “e ka kthyer Serbinë në një degë kineze”, ndërsa ka kritikuar edhe zyrtarët evropianë që, sipas tij, po e tolerojnë këtë kurs të Beogradit. Madje i ka bërë ‘tagg’ edhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Stojkoviq ka përmendur gjithashtu fabrikën kineze të robotëve në Serbi, për hapjen e së cilës Vuçiqi kishte marrë pjesë më 29 gusht 2026. Sipas tij, Vuçiqi kishte paralajmëruar kapacitet prodhues prej 20 mijë robotësh në vit, një pjesë e të cilëve pritet të përfundojnë në përdorim nga Ushtria e Serbisë dhe në zona të tjera me potencial konflikti.
Avokati serb ka rikthyer në vëmendje edhe deklaratën e Vuçiqit se fabrika do të mundësonte që kompanitë kineze të shmangnin tarifat doganore të BE-së përmes prodhimit në Serbi.



