“Të jemi të bashkuar”, Nasim Haradinaj kërkon seancë në Kuvend pas aktgjykimit në Hagë
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka thënë se ende ekziston mundësia që katër ish-krerët e UÇK-së të shpallen të pafajshëm në shkallën e dytë të gjykimit.
Haradinaj, në Debat Plus, ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të veprojnë të bashkuara dhe të lënë mënjanë ndasitë politike.
“Ende ka mundësi që ne në shkallën e dytë të fitojmë gjyqin me pafajësi. Apeli t’i lirojë të pafajshëm”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që të bashkohen dhe të lënë anash përçarjet politike.
“Në Parlament të bëjnë më të mirën dhe të lënë të gjitha inatet partiake, përçarjet që vetë i kanë krijuar. Sot më tepër se kurrë i ftoj të jenë unikë, të bashkuar, sepse askush nuk do të lodhet për ne si popull nëse nuk jemi të bashkuar”, ka thënë ai.
Haradinaj ka kërkuar që edhe institucionet shtetërore të ndërmarrin hapa pas aktgjykimit.
“Shteti mund të bëjë shumë, të thërrasë menjëherë mbledhje urgjente, sikur që dinë të thërrasin për një post, të thërrasin një seancë sa më shpejt dhe të tregojnë se këtu jemi, të gjithë të bashkuar dhe nuk pranojmë të na dënohen themelet e lirisë”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka thënë se institucionet duhet të jenë të bashkuara, ndërsa mënyrën e veprimit e ka lënë në përgjegjësi të tyre.
“Format le t’i gjejnë vetë. Duhet të jemi unikë. Themelorja është kjo”, ka përfunduar Haradinaj.



