Dënimi i liderëve të UÇK-së, GLPS-ja: Një nga momentet më të rënda për Kosovën

17 shtator 2026 | 12:43

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka reaguar pas aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në një deklaratë, GLPS-ja e ka cilësuar shpalljen e aktgjykimit si një nga momentet më të rënda dhe më të ndjeshme për shoqërinë kosovare.

Sipas GLPS-së, vendimi nuk mund të trajtohet si një proces i zakonshëm gjyqësor, duke pasur parasysh ndikimin që, sipas organizatës, ka në kujtesën kolektive, dinjitetin e viktimave dhe shtetin e Kosovës.

“GLPS-ja shpreh zhgënjimin e thellë ndaj aktgjykimit dhe dënimeve të shqiptuara ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe konsideron se përfundimet e këtij aktgjykimi duhet të shqyrtohen me rigorozitet të plotë, paanshmëri dhe drejtësi në shkallën e ankimimit”, është thënë në reagim.

GLPS-ja ka kërkuar që Dhoma e Apelit të veprojë në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme, duke shqyrtuar nëse përfundimet e shkallës së parë janë të mbështetura në ligj dhe prova.

Organizata ka bërë thirrje për unitet institucional dhe shoqëror në fazën e ardhshme të procesit.

“Në këtë fazë, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet unitet institucional dhe shoqëror për ta trajtuar me seriozitet dhe përgjegjësi procesin e mëtutjeshëm në Dhomat e Specializuara. E drejta për ankesë është pjesë e vetë procesit gjyqësor dhe duhet të shfrytëzohet përmes një qasjeje të koordinuar, profesionale dhe të bazuar në argumente juridike”.

GLPS-ja ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të jenë të bashkuara në mbështetjen e një procesi të rregullt dhe të drejtë të apelit, duke bërë thirrje për qetësi dhe maturi institucionale.

“Ky moment nuk kërkon përçarje, por qetësi dhe bashkim rreth parimeve të drejtësisë, të së vërtetës, rezistencës dhe luftës së drejtë të UÇK-së dhe të mbrojtjes së dinjitetit të Kosovës”, është thënë në reagimin e GLPS-ja.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, i cili e udhëhoqi…