Dita e djeshme, mos u harroftë!

17 shtator 2026 | 11:37
Shkruan: Ramiz Lladrovci
Shkruan: Ramiz Lladrovci

Pas vendimit të turpshëm në Hagë, edhe një herë shpreh solidaritet të plotë me familjet e heronjve tanë të luftës dhe paqes, me familjet e Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhës, me familjet e dëshmorëve dhe martirëve. Ndjej dhimbjen bashkë me të gjithë qytetarët të cilët ditën e djeshme e përjetuan si ditën më të rëndë pas çlirimit të vendit dhe me të gjithë ata që besuan në drejtësi e cila u shndërrua në padrejtësi.
Dje, ishte ditë e goditjes së rëndë ndaj heronjve tanë të luftës dhe paqes, goditje e rëndë ndaj Kosovës dhe kombit shqiptar, goditje ndaj bashkëluftëtarëve të shkëlqyer e atdhetarë, të gjitha familjeve të dëshmorëve e martirëve, goditje e rëndë për atdhetarët e familjet e tyre që për një shekull i rezistoi okupimit serb.
Vendimi i djeshëm, nuk guxon të nxis te qytetarët, në veçanti rininë tonë të shkëlqyer për hakmarrje, urrejtje, dëme ndaj shtetit dhe shtetësisë, dëme ndaj pronës private e publike, as dëme ndaj institucioneve të ndërtuara me mund dhe vullnetin e jashtëzakonshëm të shtetit të ngritur mbi varreza masive, mbi sakrificën e mijëra dëshmorëve e martirëve, mbi rrënoja të tokës së djegur dhe përkrahjen e aleatëve tanë historik.
Vendimi i turpshëm në Hagë, kurrë nuk e ulë vlerën e luftës sonë çlirimtare e as të heronjve tanë e as respektin tonë të gjithmonshëm për të gjithë kontribuuesit e luftës së drejtë e titanike kundër makinerisë vrastare serbe, kundër projekteve gjenocidale të Serbisë.
Vendimi i bazuar në fabrikimet e Serbisë, nuk na frikëson, as na kthen mbrapa në besimin për drejtësi dhe argumentimin e pafajësisë së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Republika e Kosovës është ideali ynë që na bashkon. Miqtë tanë që na ndihmuan kur qenia jonë biologjike ishte e rrezikuar, na ndihmuan ta bëjmë shtetin e lirë e demokratik, me vlera euro-atlantike, ne nuk guxojmë t’i shohim si kundërshtar. Vendimi i djeshëm është tronditës, por nuk guxojmë të eskalojmë as si shoqëri e as si shtet.
Falënderoj të gjithë qytetarët e komunës së Drenasit që në mënyrë dinjitoze përcollën dje vendimin e tmerrshëm dhe në situatën kur sytë na u mbushën me lot, kontribuan që pakënaqësia jonë dhe rezistenca ndaj padrejtësisë të mos e bëj Drenasin dhe Kosovën ndryshe nga siç e duan heronjtë tanë të luftës e paqes.
Padrejtësia nuk drejtohet në rrugë, me shkatërrim të pronës private apo publike, nuk drejtohet me mosrespektim të institucioneve që i ndërtuam. E di, është e rëndë dhe të gjithë jemi të trishtuar nga vendimi i padrejtë, por, nuk guxojmë ta bëjmë situatën e as Kosovën të paqëndrueshme ndaj kësaj stuhie të padrejtësisë. Fotografitë nga Kosova nuk guxojnë të jenë ilustrim dhune apo shkatërrimi, kjo nuk i bën nder askujt, Kosovës hiç se hiç.
Vendimet e padrejta mund të korrigjohen, të dëshmojmë urtësi dhe gatishmëri për ta bërë këtë korrigjim jo vetëm me ekipet mbrojtëse të heronjve tanë të luftës dhe paqes, por edhe me përkushtimin institucional për të vërtetën tonë historike, luftën e drejtë të UÇK-së dhe pafajësinë e plotë për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, për Hashimin, Kadriun, Jakupin dhe Rexhën.
Fundja, nuk guxojmë të veprojmë ashtu siç e pret armiku!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka reaguar pas dënimit të…