Deputeti shqiptar në Parlamentin malazez: Duhet dokumentuar krimet e Serbisë në Kosovë pas vendimit të Hagës
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, Ilir Çapuni, e ka cilësuar të dhimbshëm vendimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Çapuni ka deklaruar se vendimi është i dhimbshëm për familjet e ish-drejtuesve të UÇK-së, për Kosovën dhe për shqiptarët.
“E ndoqa me vëmendje të madhe ngjarjen e sotme, duke pritur një vendim të drejtë për ish-drejtuesit e UÇK-së. Megjithatë, vendimi i marrë në Hagë është i dhimbshëm për familjet e tyre, për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se pas shpalljes së vendimit nevojiten, siç është shprehur, “veprime të qarta dhe strategjike”.
Sipas Çapunit, duhet të sigurohet mbështetje e plotë ligjore në procesin e apelit, të ruhen dhe organizohen profesionalisht arkivat, si dhe të dokumentohen krimet e Serbisë në Kosovë.
Ai ka kërkuar gjithashtu forcimin e diplomacisë dhe të hulumtimeve akademike, si dhe hartimin e një strategjie të unifikuar për kujtesën historike.
“Një luftë e drejtë për liri kërkon gjithashtu llogaridhënie të drejtë, me qëllim mbrojtjen e së vërtetës”, ka thënë Çapuni.
Ai ka bërë thirrje që të shmangen “reagimet që ndryshojnë nga dita në ditë” dhe “zhurma pa rezultate”.



