Një shqiptar i vrarë çdo 18 minuta nga forcat serbe

17 shtator 2026 | 18:45

Gjatë luftës së vitit 1999, ndërsa NATO bombardonte Jugosllavinë, në Kosovë vazhdonte vrasja e shqiptarëve. Sipas një përllogaritjeje mbi të dhënat e Humanitarian Law Center, mesatarisht një shqiptar u vra nga forcat serbe çdo rreth 18 minuta.

Më 24 mars 1999, NATO nisi fushatën ajrore kundër Republikës Federative të Jugosllavisë. Operacioni Allied Force zgjati 78 ditë, deri më 10 qershor. (NATO)

Por ndërsa avionët e NATO-s godisnin objektiva në Jugosllavinë e atëhershme, në Kosovë shqiptarët po vriteshin, po dëboheshin nga shtëpitë e tyre, po digjeshin fshatra e qytete dhe po shkatërrohej prona e tyre.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë konstatoi se gjatë sulmeve ajrore të NATO-s kishte një fushatë të gjerë dhune kundër popullsisë civile shqiptare të Kosovës, të kryer nga forcat e ushtrisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme nën kontrollin e autoriteteve jugosllave dhe serbe. Gjykata konstatoi vrasje, dëbime masive, dhunë seksuale dhe shkatërrim të qëllimshëm të objekteve fetare. (ICTY)

Humanitarian Law Center, përmes dokumentimit të viktimave të luftës në Kosovë, jep këtë shifër: 6.872 shqiptarë të vrarë nga forcat serbe në periudhën 20 mars–14 qershor 1999.

Në këtë periudhë që përfshin 87 ditë, mesatarisht, i bie që një shqiptar është vrarë, çdo rreth 18 minuta.

Statistika del të jetë më makabre më 26 mars 1999, ku në një ditë në Krushë të Vogël, Suharekë, Landovicë, Celinë dhe vende të tjera, u vranë gati 700 civilë, sipas dokumentimit të HLC-së.

Burimet e Tribunalit të Hagës dokumentojnë gjithashtu raste konkrete të ekzekutimeve. Më 26 mars, 114 burra dhe djem nga një fshat pranë Rahovecit u vranë nga policia dhe më pas u dogjën; në Suharekë u vranë rreth 45 anëtarë të një familjeje. Në Podujevë, forcat serbe rreshtuan dhe qëlluan 19 gra e fëmijë, 14 prej të cilëve u vranë. (ICTY)

Këto nuk janë numra janë njerëz që atë mëngjes kishin dalë nga shtëpia dhe nuk u kthyen më.

Dhe krimi nuk përfundonte gjithmonë me vrasjen, mijëra trupa u zhdukën.

Varrezat masive në Serbi u bënë pjesë e historisë së fshehjes së krimeve të Kosovës. Trupat e shqiptarëve të vrarë u transportuan larg vendit ku ishin vrarë. Batajnica, pranë Beogradit, do të mbetej një nga dëshmitë më të rënda të kësaj përpjekjeje për ta fshehur të vërtetën.

Gjithashtu, përmasat e deportacionit ishin nga më të tmerrshmet. Më shumë se 800.000 shqiptarë të Kosovës u larguan nga Kosova midis 24 marsit dhe 20 qershorit 1999. Në një vendim të lidhur me krimet e kryera në Kosovë, Tribunali konstatoi përgjegjësi penale të zyrtarëve të lartë serbë e jugosllavë për krime të përfshira në fushatën e dëbimit dhe dhunës. (ICTY)

xlpress

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Shoqatës “Malësia” në Kaliforni, Sherif Krniq, ka reaguar…