Foda publikon listën për Ligën e Kombeve, ftohen Osmani dhe Kacurri
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka publikuar listën zyrtare të futbollistëve të ftuar për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, ku “Dardanët” do të zhvillojnë katër përballje në kuadër të një periudhe të ngjeshur ndërkombëtare.
Në listën prej 27 futbollistësh ka disa risi, me Dion Kacurin dhe Erblin Osmanin që janë ndër emrat më të komentuar. Kacuri, i cili më herët ka përfaqësuar grupmoshat e Zvicrës, tashmë është pjesë e listës së Kosovës, ndërsa 17-vjeçari Erblin Osmani, pjesë e akademisë së Bayern Munichut dhe më herët i angazhuar me grupmoshat e Gjermanisë, është ftuar për herë të parë në Kombëtaren A. Foda ka vendosur të llogarisë edhe në disa emra të rinj si Vesel Demaku, Donat Rrudhani, Valmir Matoshi, Muharrem Jashari, Lindon Emërllahu, Leon Avdullahu e Fisnik Asllani.
Në listë janë edhe yjet kryesorë të “Dardanëve”, Edon Zhegrova, Milot Rashica dhe Vedat Muriqi, ndërsa Ermal Krasniqi, Albion Rrahmani, Baton Zabërgja dhe Fisnik Asllani kompletojnë repartin ofensiv.
Lista vjen në një moment të veçantë për Kombëtaren, pasi kapiteni Amir Rrahmani ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e Kosovës, ndërsa Florent Hadërgjonaj ka bërë të bërë me dije se për momentin nuk do të luajë për “Dardanët” nën drejtimin e stafit aktual teknik. Hadërgjonaj ka theksuar se vendimi i tij nuk përbën tërheqje nga Kombëtarja.
Në listë mungon gjithashtu Kreshnik Hajrizi, i cili është përballur me probleme fizike, ndërsa Foda ka rikthyer disa prej lojtarëve që kanë qenë më pak të pranishëm në grumbullimet e fundit.
Kosova do ta nisë këtë seri ndeshjesh më 24 shtator në Prishtinë ndaj Irlandës, përpara udhëtimit në Vjenë për përballjen me Austrinë më 27 shtator.
Më 1 tetor, “Dardanët” do të përballen me Izraelin, ndërsa katër ndeshjet do t’i mbyllin më 4 tetor në Prishtinë ndaj Austrisë.
Lista zyrtare e Kosovës:
Portierë: Arijanet Muriç, Amir Saipi dhe Visar Bekaj.
Mbrojtës: Mërgim Vojvoda, Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi, Alban Hajdari, Ron Raçi, Leard Sadriu dhe Dion Gallapeni.
Mesfushorë/Sulmues: Ermal Krasniqi, Milot Avdyli, Baton Zabërgja, Veldin Hoxha, Vesel Demaku, Erblin Osmani, Lindon Emërllahu, Leon Avdullahu, Dion Kacuri, Donat Rrudhani, Muharrem Jashari, Valmir Matoshi, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Fisnik Asllani, Albion Rrahmani dhe Vedat Muriqi.
Lista e zgjeruar: Faton Maloku, Bledian Krasniqi, Kreshnik Krasniqi, Florian Haxha, Betim Fazliji, Andi Hoti, Leon Frrokaj, Rilind Nivokazi, Meriton Korenica dhe Faton Ademi.





