Lutfi Haziri: Rrecaj e Beqiri, të identifikuar pas 27 vitesh, ishin zyrtarë të lartë të LDK-së në Skenderaj dhe Mitrovicë

20 shtator 2026 | 13:51

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas identifikimit të mbetjeve mortore të tre veprimtarëve të zhdukur gjatë luftës në Kosovë: Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Sali Mziut.

Përmes një postimi në “Facebook”, Haziri ka vlerësuar se identifikimi i tyre, pas më shumë se 27 vitesh, paraqet zbardhjen e një prej krimeve ndaj intelektualëve dhe atyre që udhëhoqën rezistencën në Skenderaj, Drenicë e Mitrovicë.

“Pas më shumë se 27 vitesh të zhdukur, lajmi i madh është se, në mesin e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve janë zhvarrosur së fundmi në Mitrovicë, janë identifikuar edhe Idriz Rrecaj, kryetar dhe udhëheqës i LDK-së në Skenderaj dhe Drenicë, dhe Adem Beqiri, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Mitrovicë, veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, të cilët ishin në krye të rezistencës e kryengritjes për liri në Skenderaj e Mitrovicë, sikurse edhe mbetjet e bashkëveprimtarit të tyre, Sali Mziut”, ka shkruar Haziri.

Haziri ka theksuar kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Ata ishin veprimtarë e patriotë, idealistë e kontributdhënës të mëdhenj për liri e pavarësi, të cilët, me shembullin e tyre, na mësuan se si duhet atdheu. Rrugë e gjatë 27-vjeçare me mallin e pritjes. E zbuluam heroizmin tuaj e mizorinë ndaj jush. Shpirtrat e tyre bëjnë dritë në Republikën për të cilën u flijuan. Lavdi e përjetshme”, ka shkruar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet italiane lëshuan paralajmërime për motin e keq në 12…