Kurti pas takimit me Lawler: Aktgjykimi i Speciales përmban pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime juridike

21 shtator 2026 | 11:38

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me kongresistin amerikan Mike Lawler gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kurti ka bërë të ditur përmes një postimi në “X” se gjatë takimit me Lawler është diskutuar edhe për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Ai ka deklaruar se, sipas tij, aktgjykimi përmban pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime juridike, duke shprehur pritshmërinë që ato të korrigjohen gjatë procedurës së Apelit.

“Aktgjykimi shpërfilli pretendimet fyese dhe të pabesueshme të raportit të Dick Martyt për trafikimin e organeve, të cilat ishin aq të pabaza saqë as nuk u përfshinë në aktakuzën e Prokurorisë; gjithashtu, ai hodhi poshtë kategorikisht pretendimet e Prokurorisë për krime kundër njerëzimit. Megjithatë, gjetjet e mbetura u bazuan në pasaktësi faktike, keqkuptime historike dhe gabime juridike”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë takimit ka kërkuar mbështetjen e kongresistit amerikan për çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi.

“I kërkova mbështetjen e tij për trajtimin e çështjes së pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Serbi, i cili ndikon në të drejtat e tyre të votimit dhe në qasjen në dokumentet zyrtare. Në takim mori pjesë edhe deputeti Shaip Kamberi, i vetmi anëtar shqiptar i Kuvendit Kombëtar të Serbisë”, ka shkruar Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Kosovës nis sot grumbullimin për ndeshjet e Ligës…