Përfaqësuesit studentorë në marsh: UÇK-ja është pjesë e historisë dhe identitetit tonë
Përfaqësuesit e parlamenteve studentore të universiteteve publike të Kosovës kanë bërë thirrje për bashkim dhe mbrojtje të asaj që e konsiderojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Deklaratat janë bërë gjatë marshit të organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, në shenjë proteste kundër vendimit dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Përfaqësuesit studentorë nga Prishtina, Prizreni dhe Peja kanë theksuar rolin e studentëve në zhvillimet shoqërore e kombëtare, duke thënë se brezi i ri, edhe pse nuk e ka përjetuar luftën, e konsideron lirinë e sotme si rezultat të sakrificës së atyre që luftuan.
Granit Spahiu, nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, ka deklaruar se zëri i studentëve ka qenë pjesë e proceseve të rëndësishme të Kosovës dhe se do të vazhdojë të jetë i tillë.
“Pra, le ta dinë të gjithë se ky është zëri ynë si studentë, ky është zëri që e ka udhëhequr procesin e Republikës së Kosovës që nga viti ’89 dhe do ta udhëheqë sot e përjetë. Duke e respektuar UÇK-në”, ka thënë ai.
Ndërsa Riad Bislimaj, nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prizrenit, ka theksuar se studentët nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj diskutimeve për të kaluarën e Kosovës dhe sakrificën e atyre që luftuan.
“Sot Prizreni dhe Kosova është mbledhur për të folur. Dhe zëri që dëgjohet sot është zëri i studentëve. Ne jemi një gjeneratë që nuk e kemi përjetuar luftën, por ne kemi lindur në lirinë që erdhi pas saj. Kemi ardhur në universitete, kemi ndërtuar ëndrra dhe kemi planifikuar të ardhmen sepse dikush para nesh luftoi që ne mund ta bëjmë këtë”, ka thënë Bislimaj.
Ai ka shtuar se studentët e konsiderojnë të rëndësishme të reagojnë kur diskutohet për të kaluarën e Kosovës dhe sakrificën e atyre që luftuan.
“Prandaj, kur preket e kaluara jonë, kur diskutohet sakrifica e atyre që luftuan dhe kur familjet e tyre vazhdojnë të mbajnë mbi supe peshën e asaj kohe, ne nuk mund të sillemi se nuk na përket. Na përket! Sepse liria që kemi sot është përgjegjësi, përgjegjësi për të kujtuar, përgjegjësi për të folur, përgjegjësi për të mos lejuar që historia e Kosovës të shkruhet pa zërin e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i Parlamentit Studentor të Universitetit të Pejës ka thënë se studentët do të vazhdojnë të jenë të bashkuar në mbrojtje të asaj që e konsiderojnë të shtrenjtë dhe të rëndësishme për historinë e Kosovës.
“Studentët, si gjithmonë në ballë, studentët kanë qenë në ballë sa herë që i ka thirrë nevoja kombit shqiptar. Edhe sot do të jemi më të bashkuar se kurrë për ta mbrojtur atë që e konsiderojmë më të shtrenjtë, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK-në. UÇK-ja është pjesë e historisë, kujtesës dhe identitetit tonë kombëtar”, ka thënë ai.
Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe qytetarëve shqiptarë në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që jetojnë shqiptarët, për bashkim në mbrojtje të asaj që e konsiderojnë të vërtetë historike dhe dinjitetit të luftës për çlirim.
“Kombi shqiptar është një, ne jemi një, jemi shqiptarë dje, sot dhe përgjithmonë”, ka përfunduar ai. /EO



