Haradinaj kujton rënien e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit: Luftuan krah për krah si një trup i vetëm

22 shtator 2026 | 09:52
Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 28-vjetorin e rënies së Fehmiut dhe Xhevës, duke sjellë në kujtesë edhe përballjen e 6 majit 1997 në Qafën e Mullarit, ku mbeti i vrarë vëllai i tij, Luani Haradinaj, ndërsa u plagos rëndë Rafet Rama.

Haradinaj ka vlerësuar qëndresën e Fehmiut dhe Xhevës dhe ka kujtuar edhe bashkëluftëtarët Fatime Hetemi e Shefqet Zeka.

Ai ka thënë se ky përvjetor rikthen në vëmendje sakrificën e pjesëtarëve të Brigadës 114 dhe amanetin e tyre.

Postimi i plotë:

Qafa e Mullarit, 6 maj 1997.

Aty ku kufiri i dhunshëm thyhej me armë në dorë, rreshti ynë ra në pritë të rreptë të forcave serbe. Në atë përballje ku ra vëllai im, Luani, dhe u plagos rëndë Rafet Rama, pranë nesh e në krye të rreshtit ishin ata, Fehmiu dhe Xheva. Në mes të zjarrit dhe plumbave, vendosmëria e tyre nuk u lëkund për asnjë sekondë. Aty u kalit ajo lidhje lirie e vulosur me gjak, që nuk do të thyhej kurrë.

Sot, pas 28 vjetësh nga rënia e tyre heroike, kujtesa na kthen pikërisht te ky guxim i orëve të para. Fehmiu e Xheva nuk kalkuluan asgjë, ata vazhduan të palëkundur rrugëtimin e UÇK-së deri në frymën e fundit në Gradinë të Drenicës, duke luftuar krah për krah si një trup i vetëm.

Ky përvjetor na obligon përpara amanetit të tyre dhe të krejt Brigadës 114. Kujtojmë me nderim Fehmiun, Xhevën, si dhe bashkëluftëtarët Fatime Hetemi e Shefqet Zeka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” do të…