Intensifikohen kontrollet kundër piraterisë në Prishtinë dhe Gjilan

22 shtator 2026 | 15:15

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka intensifikuar kontrollet për zbatimin e legjislacionit për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Ekipet inspektuese të IQMT-së kanë zhvilluar sot kontrolle në subjekte ekonomike në rajonet e Prishtinës dhe Gjilanit, me fokus të veçantë bizneset që merren me fotokopjim, riprodhim dhe shpërndarje të materialeve të mbrojtura me të drejtën e autorit.

Sipas MINTI-t, kontrollet kanë për qëllim verifikimin e respektimit të kërkesave ligjore gjatë riprodhimit dhe përdorimit të materialeve të mbrojtura, si dhe parandalimin e përdorimit, riprodhimit dhe shfrytëzimit të paautorizuar të veprave.

“Aktivitetet inspektuese janë duke u zhvilluar në bazë të Ligjit Nr. 08/L-205 për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, si dhe në kuadër të kompetencave të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-279 për Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

MINTI dhe IQMT kanë bërë të ditur se përmes këtyre kontrolleve synohet mbrojtja e të drejtave të autorëve dhe titullarëve të të drejtave, rritja e ndërgjegjësimit të operatorëve ekonomikë dhe krijimi i një tregu ku aktiviteti zhvillohet në përputhje me ligjin.

Kontrollet, sipas ministrisë, do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, duke u bazuar edhe në ankesat dhe informacionet e pranuara nga konsumatorët për raste të dyshuara të shkeljes së të drejtës së autorit dhe piraterisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” u ka…